Arbëri

Mjekët e profesorët futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua kërkesa e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët që punojnë në institucionet publike e profesorët në universitetet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.

“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët që punojnë në institucionet publike dhe profesorët në universitetet publike”, ka thënë Sallahu.

Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend.


Qeveria parasheh të dalë me rekomandime për tejkalimin e krizës energjetike

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen me kabinetin qeveritar ka folur për krizën energjetike.

Ai u kërkoi ministrave veprime për të siguruar stabilitet.

“Ftoj ministrat që të marrin veprimet e nevojshme për të siguruar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe kjo të jetë e përballueshme për qytetarët tanë”, tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ka mundësi tejkalimi të krizës energjetike.

“Brenda ditëve mund të vijmë me rekomandime në qeveri për të tejkaluar këtë krizë me efekte më të vogla për qytetarët. Kemi formuar një task-forcë teknike, kemi pasur takime bilaterale me homologët në rajon, për të parë mundësitë e ndihmës”, ka thënë Rizvanolli.

Task Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë ka aprovuar sot Planin e Veprimit për Parandalimin e Prerjeve Ilegale të Pyjeve në gjithë territorin e vendit tonë.

Ministri i Bujqësisë Faton Peci e vlerësoi miratimin e Planit të Veprimit për Parandalimin e Prerjeve Ilegale të Pyjeve, si një proces të rëndësishëm përmes të cilit përcaktohen veprimet dhe masat nga institucionet shtetërore të përfshira në Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve.

“Çështja e pyjeve dhe mjedisit është duke u trajtuar me prioritet në kuadër të programit të Ministrisë dhe në kuadër të kësaj tashmë politikat e duhura zhvillimore për sektorin e pylltarisë i kemi adresuar qartë në ligje, në plane dhe strategji adekuate, përmes të cilave do të mundësojmë zhvillimin dhe implementimin e politikave të favorshme për sektorin e pylltarisë në vitet e ardhshme”, tha ministri Peci.

Image