Arbëri

Smajli: Po të dilnin mjetet me kohë, kompanitë private do të investonin në autobusë të rinj

Përfaqësuesi i Sindikatës së Transportuesve Privatë, Izet Smajli, ka thënë se mosdhënia e pagës për transportuesit privatë, por edhe për “Trafikun Urban” po paraqet probleme edhe në dhënien e kredive nga bankat për të investuar në autobusë të rinj.

Sipas tij, po të dilnin pagat me kohë, kompanitë private do të investonin në autobusë të rinj.

“Është plani dhe koha për të investuar në autobusë të rinj nga kompanitë private. Po të dilnin mjetet në kohë, shumë shpejt edhe kompanitë private do të investonin në autobusë të rinj. Është obligative të ripërtërihet flota”, ka thënë ai në një deklaratë dhënë për emisionin “SOT” në KTV.

Ai ka shtuar se pa paga transporti nuk do të kthehet në gjendje normale. 

“Nëse dalin mjetet sot, ne menjëherë fillojmë punën. Pa u dalë mjetet në xhirollogari të gjitha kompanive private dhe Trafikut Urban, puna nuk fillon. Janë dy arsye: kemi pagat ndaj punëtorëve që nuk kanë dalë tash e gjashtë muaj dhe kemi obligime ndaj furnitorëve që duhet t’ua shlyejmë borxhet. Ata kërkojnë mjetet e tyre kështu që pa u dalë mjetet atyre nuk japin naftë”, ka thënë ai. 

Smajli ka shtuar se shuma e borxheve për momentin është 2.1 milionë te kompanitë private, shtatorin e ka paguar ndërsa për pesë muaj na ka borxh komuna.  

“1.5 milion u kemi obligime ndaj furnitorëve, ndërsa 1 milion e 50 mijë i kemi obligim në paga”, ka theksuar tutje ai.