Situatë e qetë është parë të jetë të dielën në komunën e Leposaviqit.
Një numër i ulët i qytetarëve kanë dalë për të protestuar para objektit të kësaj komune, brenda të cilit po vazhdon të qëndrojë kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi.
Qytetarët që janë vendosur pranë komunës, po qëndrojnë të ulur në ulëset jashtë hapësirave të objektit.
Në fotografitë e shkrepura nga fotografi i KOHËS, Driton Paçarada, shihet që brenda oborrit të komunës po qëndrojnë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa në katin më të lartë të kësaj komune po valon flamuri shtetëror.
Todiq: Nëse ata që i ka përmendur Kurti janë kriminelë, të gjithë jemi kriminelë
Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se nëse ata që i ka përmendur kryeministri Albin Kurti janë kriminelë “atëherë të gjithë jemi kriminelë”.
Kështu është shprehur ai në një konferencë për media të mbajtur të dielën pranë kësaj komune, brenda së cilës po vazhdon të qëndrojë kryetari i ri, Lulzim Hetemi.
I pyetur nëse Lista Serbe e dënon dhunën kundër KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave, ai tha se i dënon të gjitha aktet e dhunës, porse sipas tij, demonstratat ndodhin në të gjithë botën.
Ai i ka fajësuar vendimet Qeverisë së Kosovës duke i quajtur ato të njëanshme kundër popullit “duarthatë” serb.
Todiq i ka mirëpritur takimet që parashihen për nesër dhe ka thënë se shumë varet edhe prej asaj "nëse Kurti merr vendime të njëanshme".
Ai ka thënë se po përpiqen për paqe dhe se serbët e veriut s'kanë besim te policia, e siç tha ai, te institucionet e Prishtinës.
{gallery}