Lista Serbe nuk është distancuar në tërësi nga dhuna e disa protestuesve serbë ndaj trupave të KFOR-it, policisë dhe punëtoreve të mediave gjatë tensioneve në veri.
Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Zoran Todiq, njëherësh ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit, ka vazhduar ta quajë ilegal e jolegjitim kryetarin Lulzim Hetemi, që për të 10-tën ditë po qëndron në objektin e Komunës.
I pyetur nëse Lista Serbe distancohet nga dhuna ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës e mediave, ai ka thënë se i vjen keq, por e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për dhunën.
“Këtë dhunë e shkaktoi zotëri Kurti nga Prishtina. Të gjitha aksionet që i ndërmerr, të gjitha veprimet që i bën në veri të Kosovës e Metohisë i bën duke përdorur pjesëtarë policorë të armatosur deri në dhëmbë. Njerëzit këtu janë duarthatë. Mua më dhimbset çdokush që është lënduar në këtë situatë, por përgjegjësinë kryesore e bartin Qeveria nga Prishtina dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Todiq.
Todiqi u ka dalë në mbrojtje edhe dhjetëra personave që kryeministri Kurti i përmendi në Kuvend si orkestrues dhe kryerës të krimeve të dhunshme gjatë së hënës.
“Dhe atëherë Kurti me përdorim të dhunës ka tentuar ta zbatojë vendimin. Më pas u lajmëruan listat, sikurse edhe para disa ditëve, duke i shënjestruar disa serbë duke i quajtur kriminelë dhe të dhunshëm, gjë që nuk është e saktë. Para disa ditëve patëm, po ashtu në Kuvend, kur i kritikoi disa serbë, duke i quajtur kriminelë, organizatorë të dhunës, gjë që nuk është e saktë. Atëherë të gjithë jemi të dhunshëm. Këta njerëz thjesht nuk pajtohen me qëllimet e Prishtinës, synim i së cilës është ta përzë popullin serb”, ka shtuar Todiq.
Todiqi tha se është shpresëdhënës se QUINT-i dhe emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar do ta bindur Qeverinë ta kthejë situatën siç ishte para të premtes së kaluar.
E kryeministri Kurti e ka mbështetur kryetarin Lulzim Hetemi, që, sipas tij, po bën rezistencë për rend dhe ligj duke qëndruar në vendin e tij të punës.
“Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyrës së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës. Lulzim Hetemi është vëllai i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998). E falënderoj kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, ka shkruar Kurti.
Kryetarin Hetemi e ka vizituar edhe ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Veriu ishte më i qetë se ditëve të kaluara në ditën e 10-të që kur policia u vendos në objektet e komunave veriore.
Në Leposaviq e Zveçan, ku ndodhi dhuna më e madhe gjatë këtyre ditëve, të dielën kishte numër të vogël personash duke qëndruar në ulëset e vendosura tash e disa ditë afër ndërtesave të komunave.