Arbëri

Sindikata shëndetësore paralajmëron hapa edhe më radikalë nëse s’u plotësohen kërkesat

Federata Sindikale e Shëndetësisë ka mbajtur një konferencë për media, ku kryetari i saj, Blerim Syla, ka folur rreth grevës 24 orëshe të punëtorëve shëndetësorë.

Syla tha se kjo Sindikatë ka bërë aktivitete të shumta dhe ka kërkuar “vetëm atë që na takon”.

“Sa i përket rritjes së pagave, nuk kemi pasur asgjë konkrete. Kryeministri Haradinaj pati premtuar që pagat të rregullohen me ligjin e pagave. Kemi parë situatën në terren, por asnjë amendament yni nuk ka shkuar ditëve të fundit. Prapë jemi interesuar dhe në projektbuxhet nuk parashihet rritja e pagave dhe si e tillë greva është e pashmangshme”, ka thënë Syla.

E ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sipas Sylës, është në koherencë me ne dhe me datën 20, këshilli do të marrë hapat e mëtutjeshëm.

Ai thotë se punëtorët shëndetësorë janë të frustruar ndërsa ka kërkuar takim me kryeministrin Ramush Haradinaj e me kryeparlamentarin Kadri Veseli, pasi, siç tha ai, ata “kanë qenë edhe nënshkrues të marrëveshjes”.

“Neve nuk na intereson asgjë më dhe do t’i marrim hapat më radikalë të mundshëm që do të ndodhin në janar”, u shpreh Syla, raporton KTV.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, ka apeluar tek institucionet vendimmarrëse që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre pasi duke thënë se për shkak të kushteve, mjekët edhe po ikin nga Kosova. Numri i mjekëve që kanë ikur deri më tani, sipas tij, është 110.

“Thirrni mendjes parlamentarë e bëjeni ligjin sa më shpejt”, tha ai, duke shtuar se ky nuk është kërcënim por apel “sepse jemi lodhur duke shërbyer në institucionet tona pa kushte dhe me buxhet të vogël. Është koha e fundit t’i heqin disa km asfalt dhe t’ia japin shëndetësisë”.

Sa i përket grevës së kirurgjisë, Syla tha se respekton çdo vendim të kolegëve meqë kauza është e njëjtë.

“Nuk marrim përgjegjësi për këtë grevë por e mbështes kauzën”, ka thënë Syla.