Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Syla: Punëtorët shëndetësorë janë injoruar totalisht nga Qeveria aktuale

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, është shprehur tejet i zhgënjyer me Qeverinë aktuale, duke thënë se punëtorët shëndetësorë janë injoruar totalisht.

Syla këto komente i bëri në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së, pas letrës që kjo Federatë i dërgoi Qeverisë që të vazhdojnë shtesat e punëtorëve shëndetësorë deri në përfundimin e pandemisë.

‘’Është e vërtetë që i jemi adresuar me një kërkesë modeste Qeverisë. Deri te kjo kërkesë ka ardhur pas një sërë letrash që iu kemi drejtuar presidentes, kryeministrit aktual, të gjitha komisioneve për shëndetësi, të gjithë deputetëve që i kemi mjek, mirëpo nuk jemi ndal me kaq pasi nuk kemi marrë përgjigje. E kemi lënë ta merr veten ministri, më pas jemi takuar, kemi lënë të merremi vesh me dialog, por jemi injoruar totalisht nga Qeveria aktuale’’, ka thënë Syla.

I pari i FSSHK-së thotë se sipas Ligjit për Pandeminë shtesat për punëtorët shëndetësorë duhet të vazhdojnë deri në përfundimin e pandemisë.

‘’Buxheti i shëndetësisë është zvogëluar dhe kemi kërkuar dyfishimin e buxhetit, e dyta ka qenë të vaksinohet popullata ashtu siç është premtuar, e treta të mos ndalet shtesat për pagat e punëtorëve shëndetësorë, sipas ligjit për pandeminë, dhe kam kërkuar të përshpejtohet Ligji i Pagave. Nuk kanë dashur të komunikojnë, nuk mund të mbajmë protesta për shkak të pandemisë, dhe jemi detyruar t’i drejtohemi me këtë letër. Siç e thotë edhe ligji, derisa të përfundojë pandemia na takojnë shtesat, nëse nuk na i japin, ne e konsiderojmë si të përfunduar pandeminë dhe marrim masa të tjera’’, shtoi Syla.