Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar veprime të menjëhershme ligjore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi goditi me shuplakë një polic gjatë protestës së sotme kundër shtrenjtimit të rrymës të thirrur nga parti.
Sindikata përmes një reagimi ka kërkuar të hetohen të gjithë ata që kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë protestës së sotme.
“Sindikata e Policisë konsideron se sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj shtetit të Kosovës, prandaj Prokuroria dhe Gjykata duhet të reagojnë menjëherë duke respektuar parimin ligjor “askush mbi ligjin”. Sindikata e Policisë do të monitorojë të gjitha reagimet e organeve të drejtësisë dhe do të qëndroj në ballë të mbrojtjes së Zyrtarëve Policorë në çdo rrethanë dhe moment që ndodh padrejtësi ndaj tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Policisë, tre zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore gjatë protestës. Më tej u njoftua se është ngritur një hetim për Molliqajn për veprën “sulm ndaj personit zyrtar”.