Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sijarina: Të legalizohet spreji vetëmbrojtës për gratë

Liridona Sijarina nga Grupi Kolektiv Feminist, deklaroi të hënën se grave duhet t’iu lejohet përdorimi i sprejit, që të mbrohen kur përballen me dhunues.

Ajo deklaroi në Interaktiv të KTV-së se kërkojnë nga institucionet që pos legalizimit të sprejit, të merren më seriozisht me rastet e dhunës me bazë gjinore, ato të pedofilisë dhe kryesit e veprës të marrin dënimin meritor.

“Thirrja kryesore është legalizimi i sprejave mbrojtës për gratë. Në disa vende janë të lejueshme sepse janë mbrojtës kur jemi në rrezik. Nëse një gruaje tani i gjendet një sprej, mund të ndiqet edhe sipas Kodit Penal. E shohim si momentum që grave t’iu lejohen armë vetëmbrojtëse”, deklaroi Sijarina.

Ajo theksoi se nuk janë të nevojshme reagimet dhe “vajtimet” e politikanëve, pasi siç u shpreh ajo, politikanët e kanë për mandat t’i mbrojnë qytetarët.

"Nuk na duhen vajtimet e politikanëve, e kanë me mandat dhe paguhen të na mbrojnë. Nuk kemi nevojë të na tregojnë sa e keqe është gjendja e grave. Vajtimet koti në Facebook janë disa elegji që gratë nuk kanë nevojë. Derisa gratë ndihen të rrezikuara, neve na duhen hapa konkretë”, deklaroi Sijarina.

Edhe Gratë kërkojnë legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje Arbëri Gratë kërkojnë legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje

Për Sijarinën, problematik është edhe zinxhiri i institucioneve, që siç u shpreh ajo, mendësia patriarkale e pezullon reagimin e shpejt të drejtësisë.

“Institucionet tona kanë probleme në mbajtjen e arkivave dhe rasteve, sidomos kur janë për dhunë ndaj grave. Nuk mund të japim konkluzion që dhuna po rritet, por është e pranishme. I kemi një sërë institucionesh të kalbura. Shumica e rasteve nuk e marrin trajtimin e duhur. Nuk trajtohen me rëndësinë që duhet, por neglizhohen. Rastet me dhunë në bazë gjinore marrin dënime nën atë që lejohet”, shtoi ajo.