Arbëri

Gratë kërkojnë legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar të premten një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, me kërkesën për legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje.

Kolektivi ka kërkuar përmes këtij aksioni që të mos e kriminalizojë edhe më tutje vetëmbrojtjen e grave, duke thënë se shteti po dështon të ofrojë siguri për to.

“Raportimet e përditshme të rasteve të dhunës seksuale po na tregojnë që siguria e vajzave dhe grave po vazhdon të neglizhohet nga institucionet shtetërore, duke i lënë gratë dhe vajzat të pa mbrojtura dhe lehtësisht të cënueshme në çdo hapësirë. Sulmet seksuale, përdhunimet, ngacmimet janë përditshmëria e grave dhe vajzave në Kosovë. Pra, për një pjesë të madhe, çdo ditë është luftë. Çdo ditë ato jetojnë në ankth e frikë, pa shumë mundësi mbrojtjeje. Duke qenë që shteti po dështon të ofrojë siguri atëherë detyrohemi ta mbrojmë vetën, me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. E këtë, nuk do të vazhdojmë t’ia lejojmë shtetit të na mohojë. Ne kerkojmë që përdorimi i sprejit irritues të dekriminalizohet për përdorim për vetëmbrojtje. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari siguri për vetën e secilën vajzë e grua që sot jeton me frikë. Deri atëherë kur të gjitha të jemi të lira e të sigurta!", ka thënë Kolektivi.