Dy ditë pasi është raportuar për dhunimin e një të miture nga komuna e Deçanit, është protestuar në Prishtinë duke kërkuar siguri për gra. Në protestën e organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, është kritikuar sistemi i drejtësisë. E aty është thënë se gratë jetojnë në frikë pasi mungon drejtësia për viktimat e dhunës në baza gjinore
Me thirrjet: “S’ka paqe pa sigurinë e grave”, kanë marshuar të enjten disa qytetarë, nga sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet deri te ndërtesa e Qeverisë, dy ditë pasi që është raportuar për dhunimin e një të miture nga komuna e Deçanit.
Në protestën e organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, është kritikuar sistemi i drejtësisë.
Aktivistja Fjolla Muqaj ka thënë se gratë jetojnë me frikë, pasi që mungon drejtësia për viktimat e dhunës në baza gjinore.
“Nuk ka pagë e as kurrfarë drejtësie kur çdo ditë ndonjë grua në Kosovë rrihet, ngacmohet, dhunohet e dikur edhe vritet. Të gjitha prej nesh e fillojmë ditën, e mbyllim natën duke u tutë për veten, për shoqen e për të gjitha grat e tjera, që i njohim ose jo”, ka thënë ajo. “Kjo nuk është gjendje e paqes. Kjo veç gjendje paqeje nuk është. Kjo është luftë e cila na kthen kundër njëra-tjetrës, që i bën burrat dhunues e gratë viktima”.
E aktivistja Erza Dubrova ka thënë se shteti është bashkëfajtor në dhunën që ushtrohet ndaj grave.
“Fëmija që në raportin e policisë figuronte si person i zhdukur, në fakt u gjend në një shtëpi në Drenas e përdhunuar. Për ne është revoltuese që teksa ne rrezikohemi çdo ditë, e çdo kund, shteti na përgjigjet ose me tentativa me retorika të thata, që veç përmbajnë rendin aktual dhunues”, ka thënë Dubrova. “Teksa ne jemi në luftë të përditshme për të mbrojtur trupat tanë, shteti ose hesht ose bëhet bashkëfajtor në dhunën që ushtrohet ndaj nesh”.
Në një shtëpi në fshatin Llapushnik të Drenasit, një vajzë e mitur, e cila këtë muaj ka festuar ditëlindjen e 14, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga dy të dyshuar të moshës madhore.
Rasti ka ndodhur të dielën, ndërsa policia e ka lokalizuar viktimën të hënën pasi që familja e ka raportuar atë si të zhdukur.
Gjykata Themelore e Pejës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy të dyshuarve për dhunimin e të miturës.