Arbëri

Dhuna ndaj grave, Tërshani: S’mjaftojnë vajtimet në Facebook të pushtetarëve që e kanë në dorë ndryshimin

Aktivistja Adelina Tërshani thotë se nuk mjaftojnë fjalimet e postimet në rrjete sociale të pushtetarëve kur bëhet fjalë për dhunën ndaj grave, sidomos në 8 mars kur mbitheksohet kjo çështje, që sipas saj, kjo temë duhet të ngritët çdo ditë.

Ajo theksoi nevojën urgjente për veprime konkrete në mbrojtjen e grave.

“Nuk mund të mjaftohemi me reagime, statuse në Facebook, vajtime ndonjëherë të rasteve të grave sidomos raste që përfundojnë me fatalitet prej personave ose institucioneve apo njerëzve pushtetarë që e kanë në dorë ta ndryshojnë sistemin. Duhet të pritet më shumë kur flasim për pushtetarët”, ka thënë Tërshani në “Interaktiv” të KTV-së.

Tërshani shtoi se sistemi i drejtësisë po dështon në trajtimin e rasteve të grave të dhunuara, ndërsa theksoi rëndësinë e trajnimeve mbi çështjen e barazisë gjinore në secilin nivel të vendit.

“Sot vajzat dhe gratë në Kosovë e kanë parasysh paraprakisht që mund të mos trajtohen me seriozitet prej policit, prokurorit, gjyqtarit kur vendosin ta marrin hapin ta raportojnë rastin e dhunës, por prapë se prapë e marri guximin ta raportojnë. Çka shohim ne, është dështim në hallka i sistemit të drejtësisë. Prej secilit institucion sepse e sheh që rasti është raportuar dhe gjithmonë vetëm kur përfundon me fatalitet atëherë e shohim që rasti ka qenë i raportuar dhe dhunuesi ka kaluar nëpër duart e drejtësisë por nuk e ka marrë dënimin meritor”.

Tërshani kërkon nga institucionet që të veprojnë sa më shpejt në krah të grave, të parandalohet dhuna ndaj tyre.

“Çka na brengosë, është se nuk mjaftohemi me një gjë të tillë, nuk mund të presim që denoncimi të mbetet vetëm përmes fjalimeve. E kanë rolin e vet, nëse presidentja, kryeministri e theksojnë si problematikë, do ta kthejnë vëmendjen te njerëzit që i votojnë ata. Por nuk mjafton, sepse po flasim për gra që janë duke u dhunuar në momentin që flasim”.