Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shumica e të burgosurve janë vaksinuar, ka ankesa për trajtim jo të duhur në pandemi

(Ekonomia Online) - Vaksinimi i qytetarëve i cili po shihet si një proces që po zvarritet shumë, në burgjet në vend po shkon me rregull dhe pa ndonjë problem. Këtë e ka konfirmuar në një deklaratë për Ekonomia Online, Behxhet Shala, nga Këshillimi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Sipas tij, gati shumicën e këtyre qendrave i kanë vizituar dhe kanë parë që shumica e të burgosurve janë vaksinuar, e që shpejtë pritet të marrin edhe dozën e dytë.

“Tek shumica e qendrave të paraburgimit, pothuajse shumica gjendja është e mirë sa i përket tek vaksinimi i personave të privuar nga liria dhe stafi që punon me ta, gjendja është më e mirë sesa jashtë burgjeve. Shumica e të burgosurve janë vaksinuar, tash po marrin vaksinën e dytë e po ashtu edhe pjesa e stafit janë vaksinuar. Departamenti i burgjeve bashkë më shërbimin korrektues e ka koordinuar mirë punën dhe po e mban në kontroll pothuajse nuk ka asnjë rast në mesin e të burgosurve, ndërsa stafi ka disa raste por që po menaxhohet mirë dhe deri tash nuk ka asnjë pengesë. Kanë mjete të mjaftueshme dhe situata është e qëndrueshme”, tha Shala.

Kurse këshilltari ligjor, Anton Nrecaj gjendjen e të burgosurve nuk e sheh aspak të mirë, pasi sipas tij, ka marrë telefonata nga burgjet lidhur me trajtimin jo të mirë gjatë pandemisë në qendrat e paraburgimit.

Nrecaj shton se nuk dihet saktë se cila është gjendja e tyre shëndetësore.

“Kam pasur disa thirrje nga burgjet të cilët kanë shprehur brengat e tyre në lidhje me trajtimin e të burgosurve nëpër burgje, telefonatat kanë qenë kryesisht nga burgu i Dubravës, ku dihet që është një prej burgjeve më të mëdha në vend dhe që i plotëson deri diku standardet e kushteve për të burgosurit. Por që pandemia ka ndikuar shumë në këtë proces ku shumë gjëra i kanë pasur edhe më të kufizuar”.

Edhe Bosnja ia ka dalë të menaxhojë më së miri vaksinimin në burgje Botë Bosnja ia ka dalë të menaxhojë më së miri vaksinimin në burgje

Sipas Nrecaj situata e të burgosurve mbahet shumë e mbyllur e që në fakt detyrimi kryesor i shtetit është të përkujdeset për mirëqenien dhe trajtimin human të tyre, raporton EO.

“Tash kemi rritje të rasteve edhe me variantin tjetër, dhe kemi një mbyllje të serishme apo izolim i të burgosurve por edhe që nuk kam dijeni se a janë të vaksinuar këta të burgosur, është përgjegjësi dhe detyrim i shtetit për trajtimin sa më human ndaj ruajtjes së shëndetit të burgosurve. Gjithçka është e mbyllur dhe nuk kemi informacione me një sjellje jo njerëzore ndaj tyre, qasja ndaj tyre është shumë e kufizuar, dhe e kuptoj këtu edhe çështjen e pandemisë, por që shteti duhet të përkujdeset për mirëqenien e tyre dhe të bëjë trajtimin human”, deklaroi Nrecaj.