Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet vaksinimi i stafit të qendrave sociale, azilit e paraburgimit

QKMRT-ja ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të nis vaksinimin e stafit i SHKK-së, stafit të qendrave të kujdesit social, si dhe stafit në qendrat e azilit dhe për të huaj.

“Gjatë punës sonë në terren, veçanërisht monitorimit të institucioneve të mbyllura (burgjet, qendrat e mbajtjes në stacionet policore, institucionet e shëndetit mendor dhe të kujdesit social, qendrat e azilit dhe për të huaj), QKRMT ka vlerësuar menaxhimin e situatës me Covid-19 duke evidentuar sfidat me të cilat ballafaqohen këto institucione gjatë kësaj periudhe” thuhet në kërkesën e QKMRT-së.

QKMRT gjithashtu ka rekomanduar që në listën e prioriteteve në planin e vaksinimit të përfshihen grupet e cenueshme, si të burgosurit, rezidentët e institucioneve të shëndetit mendor dhe qendrave, ata të kujdesit social, azilkërkuesit dhe të huajt në mbajtje.

“Rekomandimi i QKRMT-së për trajtimin me prioritet të këtyre kategorive, mbështet edhe në hulumtimin e OBSh-së i cili thekson se rreziku i transmetimit të COVID-19 është më i lartë në qendrat e mbajtjes, andaj edhe rekomandon që këto grupe shoqërore që jetojnë dhe punojnë në këto institucione të mbyllura, duhet të vaksinohen me prioritet” thuhet në fund të këtij njoftimi.

Megjithatë MSH ditë më parë ka konfirmuar për Kohën se të gjithë të burgosurit mbi moshën 65-vjeçe kanë marrë vaksinat anti-Covid, përveç tre prej tyre, të cilët kishin refuzuar të vaksinoheshin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përpos tyre është vaksinuar edhe stafi shëndetësor i burgjeve, teksa është përgatitur plani i vaksinimit të të burgosurve të tjerë dhe stafit korrektues, në pajtim me planin dhe dispozicionin e vaksinave.

“Janë vaksinuar të gjithë të burgosurit mbi moshën 65-vjeçare sipas planit nacional të vaksinimit. Vetëm 3 të burgosur kanë refuzuar vaksinimin nga të gjithë të planifikuarit sipas moshës”, ishte thënë në përgjigjen e MSH-së.

Artikuj të ngjashëm