Arbëri

Shteti s’mund ta parandalojë largimin e Pantiqit për në Serbi, mund t’ia marrë vetëm dorëzaninë

I shumëpërfoluri Dejan Pantiq është dënuar me dy vjet burgim këtë javë për huliganizëm. Por masa e tij e sigurisë është dorëzania prej 30.000 eurosh, e shteti s’mund të bëjë gjë për ta parandaluar largimin e tij në Serbi, njësoj siç kanë bërë shumë të akuzuar e të dënuar të tjerë serbë

Dejan Pantiq, një prej emrave më të lakuar në tre vjetët e fundit për ngjarjet në veri që e sfiduan shtetin e Kosovës – e ka në dorë fatin e tij: nëse do të vazhdojë të gjykohet në Prishtinë, apo jo. 
Pas dënimit me dy vjet burgim për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”, ai është lënë i lirë falë dorëzanisë prej 30 mijë eurosh. 

Për sulmin ndaj Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut më 2022, ai ishte akuzuar fillimisht për terrorizëm, por së fundi vepra iu ricilësua në huliganizëm. 

Gjykimi ndaj tij do të vazhdojë edhe në shkallë të dytë, por Flamur Kabashi, hulumtues dhe monitorues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Pantiqi mund t’i shmanget drejtësisë, ashtu siç bëri Marko Roshiq, i dënuar nga shkalla e parë për krim të organizuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. 

Kabashi flet edhe për rrethanat se kur shteti mund t’ia konfiskojë paratë që Pantiqi i ka lënë si dorëzani. 

“Nëse Gjykatën nuk e njofton për ndryshimin e adresës, nëse nuk i përgjigjet ftesave të Gjykatës, dorëzania të cilin individi e ka lënë, i merret automatikisht dhe ndaj të njëjtit lëshohet fletarrest, e në momentin e sigurimit të prezencës së tij mbahet seanca dëgjimore për caktim të masës së paraburgimit, sepse i ka thyer brenda të cilave është lëshuar masa e dorëzanisë”, ka sqaruar Kabashi. 

Mbrojtësi i Pantiqit, avokati Lubomir Pantoviq, është shprehur se klienti i tij nuk e ka asnjë arsye të largohet nga Kosova.

Kosova dhe Serbia nuk kanë bashkëpunim juridik ndërkombëtar, që nënkupton se Serbia nuk ia dorëzon Kosovës të pandehurit që strehohen në vendin fqinj.

Pos mundësisë për ikje të të dyshuarve, të akuzuarve e të dënuarve nga Kosova për në Serbi, kjo mungesë bashkëpunimi, sipas Kabashit, shkon në disfavor të të pandehurve në të dyja vendet, meqë gjykatat e kanë të lehtë ta arsyetojnë paraburgimin si masë të sigurisë. 

”Ndoshta nuk e ka (plotëson v.j) asnjë kusht tjetër, pesha e veprës, ndikimi në dëshmitarë..., vetëm rreziku i ikjes (është e mjaftueshme) të ekzistojë si kusht, sepse vetëm një kusht mjafton që ta caktojë paraburgimin, nuk kërkohen në mënyrë kumulative të gjitha”. 

Pos Roshiqit, në Serbi kanë ikur edhe të akuzuar e të dyshuar të shumtë. Ndër ta është edhe Milan Radoiçiq, i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

Gjatë javës që shkoi, Themelorja në Prishtinë e dënoi Milun Milenkoviqin, i njohur si Llune, si dhe spiunin e BIA-s, Aleksandar Vllajiq, me nga pesë vjet burgim për kryerje të veprës terroriste, me qëllim të detyrimit të padrejtë të organeve publike të Kosovës për t’i shtyrë zgjedhjet në veri, të cilat u shkaktuan nga dorëheqjet e kryetarëve serbë më 2022. 

Pantiq në fund të gjykimit u nda nga ky grup, pasi iu ricilësua vepra nga terrorizëm, në huliganizëm dhe për këtë u dënua me 2 vjet burgim. 

Pantiq u arrestua në dhjetor të 2022-tës. Fillimisht u vendos në një kontejner në Jarinjë. Policia nuk arriti ta çonte atë në qendër të paraburgimit për më shumë se dy javë, pasi protestuesit serbë i bllokuan rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. 

Në kohën kur edhe bashkësia ndërkombëtare shprehte interesim për rastin e tij dhe i kërkonte Kosovës “deeskalim”, prokurori i atëhershëm i rastit, Afrim Shefkiu, kërkoi fillimisht arrest shtëpiak ndaj tij, e pastaj dorëzani. 

Arsye zyrtare për këtë masë ishte dhënë gjendja shëndetësore e të pandehurit, derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, deklaroi në një intervistë së fundi se paraburgimi ndaj tij nuk u kërkua nga frika e eskalimit të mëtejmë të situatës në veri. 

Më 2023, Pantiqi e mori urdhrin “Millosh Obiliqi” nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për, siç u tha, “trimërinë e tij”.