Katërmbëdhjetë gjetje i ka evidentuar Auditori për mënyrën se si është menaxhuar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar në vitin 2021. Prej tyre prijnë shkeljet e identifikuara në tenderë. Ka edhe shkelje të lidhura me kontratën e punës dhe vazhdimin në mënyrë të jashtëligjshme për njërin anëtar të Bordit të këtij institucioni
Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale kanë keqmenaxhuar buxhetin e tyre gjatë vitit 2021.
Janë të shumta shkeljet, të cilat i ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Prej tyre, pjesa më problematike është fusha e tenderëve. Sipas këtij raporti, në një rast Spitali i Gjilanit e kishte shpërblyer me kontratë një kompani, ani që analiza e dosjes së saj dëshmon se nuk plotësoheshin kushtet.
U keqmenaxhua edhe me “Shërbimet funerale për të vdekurit me COVID-19”.
“Në procedurën e prokurimit ‘Shërbime funerali COVID 19’, në vlerë 158 mijë euro, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar janë palë të ndërlidhura. Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që pronari i kompanisë ‘Ngushëllimi’ ka aksione edhe në kompaninë ‘Funerali’ dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë. Me gjithë këtë, SHSKUK-ja ka shpërblyer me kontratë kompaninë ‘Funerali’, e cila sipas kërkesave ligjore do të duhej të vlerësohej si e papërgjegjshme”, thuhet në njërën nga gjetjet.
Problem i madh, sipas Auditorit, është mungesa e raporteve të pranimit të mallit. Një gjë e tillë është identifikuar në kontrata me pagesa deri në rreth 8 milionë euro.
“Nga testimi i pagesave kemi vërejtur se në 61 raste, në vlerë prej 7. 864. 454 eurosh, edhe pse kishte raport të pranimit nga komisioni i pranimit të mallit, mungonte raporti i pranimit të mallit, i përgatitur nga menaxherët e kontratave”, shkruan në një tjetër konkluzion.
Shkelje janë identifikuar edhe në mënyrën se si funksionon Bordi Drejtues i SHSKUK-së.
“SHSKUK gjatë vitit 2018 kishte lidhur kontratë pune trevjeçare me anëtarin e shtatë të Bordit drejtues – drejtorin financiar dhe të menaxhmentit shëndetësor për një periudhë trevjeçare, me mundësi vazhdimi. Pas skadimit të kontratës së punës, në korrik 2021, Bordi i ri ia kishte vazhduar kontratën e punës të njëjtit edhe për tre vjet të tjerë, bazuar në vlerësimin e performancës. Kjo, në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Auditori ka konstatuar edhe pagesa nga kategoritë e gabuara.
“Shpenzime në vlerë 391,693 € (QKUK- 257,937 euro, Spitali i Gjilanit 40,749 euro, Spitali i Vushtrrisë – 33,864 euro, Spitali i Ferizajt – 14,449 euro, Spitali i Prizrenit - 13,604 euro, Spitali i Pejës - 12,450 euro, Spitali i Mitrovicës - 9,450 euro dhe QSKUK - 9,190 euro), që për nga natyra i takonin kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, ishin ekzekutuar nga kategoria e investimeve kapitale. Ato kishin të bënin me blerjen e bombolave të oksigjenit, furnizime me material mjekësor, pajisje mjekësore, instrumente mjekësore etj.”, cek Auditori.
Telashe janë identifikuar edhe me menaxherët në QKUK, që punojnë edhe në Universitetin e Prishtinës e që nga aty marrin pagë primare.
“QKUK në rastin e përzgjedhjes së drejtoreshës së Pediatrisë kishte nënshkruar kontratë të punës me orar të plotë, përderisa në listën e pagave e njëjta paguhet si e punësuar me gjysmë orari (20 orë punë), kjo në kundërshtim me kriterin përkatës në Statut, i cili përcakton se drejtorët e klinikave dhe shërbimeve klinike duhet të jenë me orar të plotë”, shkruhet në raport.
Ky raport ka pasur katërmbëdhjetë gjetje për SHSKUK-në.
Dikur SHSKUK-ja mburrej me sistemin për matjen e vijueshmërisë së stafit, por ZKA-ja ka nxjerrë telashe në këtë pikë.
“Nga testimi i vijueshmërisë së stafit kemi vërejtur se në 15 raste nuk ka dëshmi për vijueshmëri të orarit të punës. Kjo për shkak që mungon një mekanizëm funksional i monitorimit të regjistrimit të plotë të hyrje-daljeve të stafit gjatë orarit të punës, me gjithë faktin që sistemi elektronik i regjistrimit të vijueshmërisë është funksional. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së monitorimit të mirëfilltë të stafit nga ana e menaxherëve drejtues për respektimin e orarit të punës”, thuhet në këtë opinion.
Në këtë institucion ka edhe probleme të trashëguara me vite. Një i tillë është edhe rasti i një mjekje, që është paguar, ndonëse nuk ka repart adekuat për shkollimin e saj specialistik.
“SHSKUK gjatë vitit 2018 kishte lidhur kontratë pune trevjeçare me specialisten e diplomuar në lëmin Pedodonci dhe Stomatologji preventive, të cilës i ishte caktuar vendi i punës në Spitalin e Mitrovicës, me gjithë faktin që ky spital nuk posedon Repart të Stomatologjisë. Si rezultat i mungesës së kushteve elementare të punës për ushtrimin e profesionit të saj, zyrtarja në fjalë nuk mund të kryejë shërbimin për të cilën paguhet. Vlera e pagave të paguara për zyrtaren përkatëse për vitin 2021 ishte në vlerë 9,846 €”, bën të ditur raporti.
SHSKUK-ja ka fajësuar për këtë çështje ish-menaxhmentin.
“Sipas SHSKUK-së, kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti i atëhershëm kishte rekomanduar të ketë kandidate për specializim në stomatologji, duke e ditur që shërbimi specialistik nuk ofrohet në kuadër të spitalit”, thuhet në opinionin e SHSKUK-së.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është institucioni më i madh publik shëndetësor në vend. Në vitin 2021 kishte menaxhuar me buxhet në vlerë prej 135 milionë eurosh.