“E-pasuria” është platforma shtetërore, përmes së cilës institucionet mbajnë evidencë për pajisjet, inventarin dhe asetet që posedojnë. Por, Auditori ka gjetur se pasuria nuk është evidentuar në të nga shumica e klinikave të QKUK-së dhe spitaleve rajonale. Gazetarë që mbulojnë fushën e shëndetësisë thonë se kjo krijon hapësirë për keqpërdorim të pasurisë publike e SHSKUK-ja është ankuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka hapur llogari për të gjitha klinikat dhe spitalet
Edhe pas rekomandimeve të përsëritura të auditorit, një pjesë e klinikave të QKUK-së vazhdojnë të mos e përdorin sistemin zyrtar “e-pasuria”, i cili shërben për evidencimin dhe menaxhimin e pasurisë publike.
“E-pasuria” është platforma shtetërore elektronike për regjistrimin, evidentimin dhe përcjelljen e pasurisë publike, përmes së cilës institucionet mbajnë evidencë për pajisjet, inventarin dhe asetet që posedojnë.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nga 45 klinika dhe njësi të QKUK-së, 23 nuk kanë përfshirë të dhënat në platformën “e-pasuria”. Njëjtë kanë vepruar edhe spitali i Mitrovicës, ai i Pejës, Gjilanit dhe Vushtrrisë.
Gjetja e Auditorit është përsëritur për të paktën tre vjet radhazi.
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, thotë se mungesa e evidencës për pajisjet, inventarin dhe asetet, krijon hapësirë për keqpërdorim të pasurisë publike.
Edhe
MPB-ja dhe SHSKUK-ja fajësojnë njëra-tjetrën për platformën “e-Pasuria”
“Unë konsideroj se nuk është e rastësishme mosregjistrimi i pajisjeve në sistemin ‘e-pasuria’, sepse SHSKUK-ja, QKUK-ja dhe spitalet posedojnë pajisje që edhe pas skadimit të afatit të përdorimit vazhdojnë të kenë vlerë të konsiderueshme. Mosregjistrimi i tyre në sistem dhe mbajtja e evidencave në tabela Excel nga individë të caktuar përbën rrezik për keqpërdorim”, ka deklaruar Vitija.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se veprimi nga shumica e klinikave dhe spitaleve rrit rrezikun e gabimeve në mirëmbajtjen e regjistrave të pasurisë, si dhe mundësinë për keqpërdorim, humbje apo tjetërsim të aseteve.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës arsyetuan mospërfshirjen e të dhënave në sistem.
“Një nga sfidat kryesore ka qenë mungesa e personelit në pozitat kyçe, veçanërisht në sektorët përgjegjës për menaxhimin dhe evidentimin e pasurisë, siç janë depot. Kjo ka ndikuar në ritmin e implementimit të sistemit. Presim që deri në fund të vitit fiskal 2026 të përfundojë në tërësi procesi i implementimit dhe funksionalizimit të sistemit “e-Pasuria”, thuhet në përgjigje.
Për këtë çështje, KOHA ka dërguar pyetje edhe në spitalet e tjera, por nuk ka marrë përgjigje.
E institucioni që menaxhon me QKUK-në dhe spitalet, SHSKUK-ja ka drejtuar gishtin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, duke pretenduar se këto institucione nuk kanë ofruar qasje në sistem.
Edhe
Drejtorët e klinikave të QKUK-së ankohen për kushte të rënda
“Vitin e kaluar më 10.09.2025 kam pasur takim dhe me email kemi kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ASHI-së, për hapjen e userave edhe për këto klinika në mënyrë që të funksionalizojmë e-pasurinë në të gjitha klinikat e QKUK-së, mirëpo urserat nuk janë hapur dhe arsyetimi i tyre ishte se tenderi për operator të ASHI-së është akoma në procedura tenderuese. Nëse na hapen userat nga ASHI-ja dhe do të realizohet blerja e printerave për barcode, besoj që këtë vit do të funksionalizohet në të gjitha klinikat e QKUK-së”, thuhet në përgjigje.
KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit lidhur me këto pretendime të SHSKUK-së, por deri në publikimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje.