Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPB-ja dhe SHSKUK-ja fajësojnë njëra-tjetrën për platformën “e-Pasuria”

QKUK

Foto: Arkiv

As SHSKUK-ja dhe as Ministria e Brendshme nuk e kanë marrë përgjegjësinë për mosevidentimin e pasurisë së shumicës së klinikave dhe spitaleve rajonale, në “e-Pasuria”. Këto institucione kanë fajësuar njëra-tjetrën, për mungesën e qasjes në platformë

Përgjegjësinë për mosfunksionalizimin e plotë të sistemit “e-Pasuria”, përmes të cilit evidentohet edhe pasuria e institucioneve shëndetësore, Ministria e Punëve të Brendshme ia ka faturuar Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.

Në raportin e fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 23 klinika të QKUK-së dhe katër spitale rajonale nuk e kanë evidentuar pasurinë në këtë sistem.

Pas kësaj, në një përgjigje për KOHËN, zyrtarë të SHSKUK-së thanë se kanë gatishmëri për të punuar në të, por se kjo nuk është bërë, pasi sipas tyre, Ministria nuk ka hapur llogaritë e përdoruesve në platformë për të gjitha klinikat.

Por, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, që vepron në kuadër të MPB-së, i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se i ka kryer të gjitha obligimet e saj dhe se përgjegjësia për përdorimin e sistemit bie mbi vetë SHSKUK-në.

“ASHI ka pranuar kërkesën nga QKUK më 20 nëntor 2024 dhe hapja e përdoruesve është realizuar më 11 dhjetor 2024, duke krijuar përdoruesit, depot dhe qasjet përkatëse për të gjitha klinikat. Përgjegjësia për zbatimin e rekomandimeve dhe përdorimin e sistemit bie mbi institucionet përkatëse. Sistemi “e-Pasuria” është funksional dhe i përdorueshëm brenda QKUK-së”, thuhet në përgjigjen e ASHI-së.

Pavarësisht këtij versioni të MPB-së, SHSKUK-ja ka vazhduar të insistojë se përgjegjësia nuk qëndron të ky institucion.

Edhe Mosevidentimi në platformën shtetërore ngre dyshime për keqmenaxhim të aseteve në SHSKUK Arbëri Mosevidentimi në platformën shtetërore ngre dyshime për keqmenaxhim të aseteve në SHSKUK

“Siç e kam theksuar në përgjigjen paraprake se user-at për 23 klinika janë hapur në vitin 2024, mirëpo për klinikat tjera kërkesa ka qenë e vitit 2025, pra vitin e kaluar, ku edhe kam pasur takim më datën 10.09.2025 me zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me hapjen e usera-ve edhe për klinikat tjera, mirëpo nuk janë hapur”, ka thënë Havushe Rexhepi, shefe e sektorit të pronës në SHSKUK.

Mosevidentimi i pasurisë në platformën “e-Pasuria”, nga shumica e klinikave të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e përsëritur për të paktën tre vjet me radhë.