Përderisa pacientët nga Shqipëria prej vjetësh e marrin falas shërbimin e hemodializës në Kosovë, qytetarët e Kosovës duhet që të paguajnë 150 euro për një seancë në Shqipëri. Veç në spitalin e Prizrenit, brenda një viti realizohen mbi 2 mijë seanca dialize për pacientët nga Shqipëria. E, Avokati i Popullit në Tiranë ka konfirmuar se i ka nisur hetimet, pas pyetjeve që KOHA ia ka adresuar lidhur me trajtimin e pabarabartë
Që prej një dekade, Bajram Shahu nga Kukësi e kalon tri herë në javë kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë për ta marrë shërbimin e dializës në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Ndonëse nuk është shtetas i Kosovës, atij i ofrohet falas trajtimi për pastrimin e gjakut nga mbetjet toksike, lëngjet e tepërta dhe kripërat, kur veshkat nuk janë në gjendje që ta bëjnë vetë këtë funksion.
Shahu thotë se, krahas afërsisë gjeografike, edhe cilësia e shërbimit që e merr në Prizren është shumë e mirë sesa ajo në Shqipëri.
I ulur në karrige dhe i lidhur me aparaturat mjekësore gjatë seancës së dializës, ai të premten ka thënë se e zgjedh Prizrenin për shkak të lehtësisë së qasjes dhe përkujdesjes që e merr aty.
“Afër e kemi Lezhën, por më afër e kemi Kosovën, Prizrenin, se atje i bën 2 orë për të shkuar në Lezhë, kurse këtu për gjysmë ore vijmë... Falas i kemi, falas. Shërbimin e kemi të mirë, e kemi perfekt”, është shprehur Shahu.
Sikurse Shahut, Spitali i Prizrenit e ofron shërbimin e hemodializës pa pagesë edhe për 15 pacientë të tjerë nga Shqipëria.
Por e kundërta ndodh në Shqipëri, ku pacientët nga Kosova nuk mund ta përfitojnë të njëjtin trajtim.
Pacientët nga Kosova detyrohen që për një seancë të hemodializës të paguajnë rreth 150 euro.
Asllan Beqiraj, pacient nga Suhareka, ka thënë se sivjet është interesuar për shërbimet që i ofron Shqipëria për pacientët me dializë.
“Kam pyetur, më thanë që shërbimet nga Kosova, nuk ka dializë për neve... Jam interesuar që të shkoj në Elbasan, më kanë thënë jo mos gabo, se nuk kemi shërbime”, ka treguar Beqiraj.
Ai është shprehur i zhgënjyer për këtë situatë dhe ka kërkuar që të ketë trajtim të barabartë.
“Sikur ata qysh vijnë këtu, edhe ne të shkojmë atje... Për institucionet e Shqipërisë, që të kenë pak moral, se ne i këqyrim jashtëzakonisht mirë këtu, kurrfarë lloj pagese nuk kanë, i ushqejmë, me ilaçe, me çdo gjë... Një reciprocitet të paktën të ketë, edhe ata sikur ne”, ka thënë Beqiraj.
Rexhep Hapçiu, shef i repartit të Hemodializësnë në Spitalin e Prizrenit, ka bërë të ditur se në këtë spital gjatë një viti realizohen mbi 2 mijë seanca dialize për pacientët nga Shqipëria.
“Përafërsisht diku vjetore, me numrin e pacientëve të tashëm, i bije diku rreth 2.200-2.300 seanca vjetore për pacientët, 16 pacientët e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Hapçiu.
Përderisa pacientët nga Shqipëria trajtohen rregullisht në Kosovë, Hapçiu ka thënë se pacientëve nga Kosova ky shërbim në Shqipëri do t’u nevojitej vetëm për periudha të shkurtra dhe kryesisht gjatë verës.
“Në bazë të disponimit të pacientëve, nëse do të kishin shkuar pacientët, ndoshta do të kishin shkuar për 3-4 ditë, 5-6 ditë. I kishin bërë 2-3 seanca, sa një pushim të vogël për ta kaluar atje. Nuk besoj që kohë të gjatë ishin dializu atje”, ka thënë Hapçiu.
KOHA ka tre vjet që raporton për këtë praktikë të pabarabartë në trajtimin e pacientëve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në vitin 2023, në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë i kanë thënë KOHËS se autoritetet e Shqipërisë nuk kanë treguar mirëkuptim për ta gjetur një zgjidhje për pacientët kosovarë, të cilët kërkojnë trajtim në Shqipëri.
E, në vitin 2022, gjatë një vizite në Prishtinë, ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, pati thënë shkurt se kjo çështje do të jetë një ndër objektivat e përbashkët të dy qeverive.
“Ne jemi duke parë dhe vlerësuar pikërisht atë që ju e përmendët, pra, për të kuptuar se cila është kërkesa dhe se si mund të adresohet kjo kërkesë. Jemi në pritje edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe besoj se në këto diskutime dhe në të gjithë marrëdhënien që ne e kemi për të bërë një plan të qartë, të saktë, një analizë konkrete dhe patjetër edhe për ta pasur edhe një adresim të këtij shqetësimi që ju e përcollët, e që për ne pa dyshim se është një objektivë për punën tonë në të ardhmen”, pati thënë asokohe Manastirliu.
Por, pavarësisht kësaj deklarate, situata prej atëherë nuk ka ndryshuar.
Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë kanë konfirmuar se nuk ka asnjë marrëveshje me Shqipërinë për ofrim falas të shërbimeve për pacientët nga Kosova, ani se ekzistojnë disa marrëveshje për shërbime ndërkufitare.
“Nuk e kemi një marrëveshje të tillë me Tiranën, e cila e specifikon mbështetjen e pacientëve për hemodializë. Prishtina zyrtare do të vazhdojë t’i hemodializojë pacientët, ashtu siç është bërë deri më tani, pa ndonjë ndryshim”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Shqipëri nuk kanë dhënë arsye për mungesën e gatishmërisë dhe as për trajtimin e pabarabartë.
“Ofrimi i shërbimit të hemodializës për pacientët nga Kosova nuk është i parashikuar në marrëveshjet ekzistuese. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbetet e hapur për ta diskutuar dhe shqyrtuar mundësinë e organizimit të këtij shërbimi për pacientët kronikë me banim në Kosovë, të cilët i kanë më afër qendrat tona shëndetësore publike”, kanë thënë në Shqipëri.
E, në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë dhe në atë të Shqipërisë kanë thënë të jenë njoftuar me këtë praktikë tek pas pyetjeve që ua ka adresuar KOHA.
Lindita Xhillari, ndihmëskomisionere për shëndetësi në Institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri, e ka paralajmëruar nisjen e një hetimi lidhur me këtë çështje.
“Është hera e parë që ne vihemi në dijeni për këtë problematikë. Pas këtij emaili, i cili e sjell në vëmendje këtë problematikë, institucioni i AP-së sot do ta regjistrojë këtë rast menjëherë, duke e filluar hetimin administrativ dhe duke adresuar dhe kërkuar informacion në strukturat përkatëse, konkretisht pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Tiranë. Në përfundim e shprehim angazhimin tonë maksimal për trajtimin me seriozitet të kësaj problematike, si dhe ju garantojmë se do kemi komunikim me ju gjatë trajtimit dhe përfundimit të hetimeve për sa referoni”, ka thënë Xhillari.
Edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë kanë thënë se do të kërkojnë hetim nga institucioni i njëjtë në Shqipëri.
“Duke qenë se kjo çështje bie në kompetencë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ne do të rezervohemi që të deklarohemi rreth kësaj çështjeje. Për më shumë, ne do t’i shkruajmë IAP-së të Shqipërisë që ta hetojë këtë çështje. Duke qenë se kemi një bashkëpunim të mirë dhe në nivel të lartë me IAP-në e Shqipërisë, me siguri se ky rast do të hetohet në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me ofrimin e shërbimeve të mira në mes dy institucioneve”, ka thënë zyrtari për komunikim në IAP-në në Kosovë, Petrit Çollaku.
Veç në Spitalin e Prizrenit, pacientë nga Shqipëria shërbimin falas të hemodializës e marrin edhe në atë të Gjakovës. Dializa është proces i pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme, që e zëvendëson funksionin e veshkave te pacientët që kanë dështim të avancuar të tyre.