Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Turizmi dentar”, Shqipëria po bëhet destinacion për dhëmbë të lirë

dhëmbë

Shqipëria po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turizmin dentar, falë çmimeve dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore, shkruan mediumi britanik BBC.

Anthony Hook, 58-vjeçar, nga Boltoni, është një prej pacientëve që udhëtoi drejt Tiranës për të rregulluar dhëmbët. Pas trajtimit, ai u fotografua duke buzëqeshur dhe duke treguar rezultatin e ri.

Tirana është qendra e kësaj industrie në rritje. Në zonën e kryeqytetit operojnë rreth 400 klinika dentare, një numër i madh për një qytet me rreth 600 mijë banorë. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë dentistë po synojnë pacientët nga jashtë vendit dhe po reklamojnë shërbimet  në gjuhën angleze dhe italiane.

Çmime të ngjashme me Turqinë

Një implant dentar në Shqipëri kushton rreth 600 euro, çmim i ngjashëm me atë në Turqi, e cila prej vitesh është një nga destinacionet kryesore për evropianët që kërkojnë trajtime mjekësore më të lira.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Francë apo Gjermani, i njëjti trajtim mund të kushtojë deri në katër herë më shumë.

Hook e vizitoi për herë të parë Tiranën vitin e kaluar, kur ishte në Shqipëri për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Anglisë. Reklamat e shumta të klinikave dentare e shtynë atë të shqyrtonte mundësinë për të zgjidhur problemin me dhëmbët.

Ai zgjodhi Shqipërinë në vend të Turqisë, pasi ishte shqetësuar nga raportimet mediatike për raste të trajtimeve dentare dhe transplanteve të flokëve që kishin përfunduar me komplikime.

“Kam dëgjuar shumë gjëra të këqija për Turqinë”, rrëfeu Hook, duke shtuar se kishte bërë një kërkim të gjatë përpara se të merrte vendimin.

“Kalova dy ditë online duke hulumtuar gjithçka. Nuk jam tip që nxitohem”, tregoi ai.

Pas disa vizitave në Tiranë, Hook tashmë ka një seri të plotë implantesh dhe thotë se është shumë i kënaqur me rezultatin.

“Nëse do të mundja, do të vija këtu me pushime çdo muaj”, shtoi ai.

Rritja e sektorit kërkon më shumë rregullim

Një prej klinikave më të mëdha në Tiranë është “Elite Dental”, e licencuar nga autoritetet shëndetësore shqiptare. Të 15 dentistët e klinikës janë gjithashtu të licencuar.

Drejtori i klinikës, Ardtur Dema, thotë se nuk i mbështet procedurat estetike që dëmtojnë dhëmbët e shëndetshëm. Sipas tij, fokusi duhet të jetë në rikthimin e aftësisë për të përtypur dhe buzëqeshur, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës së pacientëve.

Dema beson se çmimet do të mbeten të ulëta derisa Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, zgjerimi i fluturimeve të kompanive me kosto të ulët drejt Tiranës po e bën më të lehtë ardhjen e pacientëve nga jashtë.

Megjithatë, ai paralajmëron se rritja e shpejtë e sektorit mund të tërheqë edhe operatorë që nuk punojnë me të njëjtat standarde, duke rrezikuar reputacionin e të gjithë industrisë.

Dema është anëtar i Shoqatës Shqiptare për Turizmin Mjekësor, e themeluar së fundmi, por shumë klinika ende nuk janë pjesë e saj.

Qeveria paralajmëron certifikim të klinikave

Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha BBC-së se qeveria po përpiqet t’i përshtatet zhvillimit të këtij sektori, në një kohë kur numri i turistëve të huaj në Shqipëri është më shumë se dyfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit.

Rama ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së certifikatave zyrtare për institucionet që ofrojnë shërbime të turizmit mjekësor, megjithëse detajet ende nuk janë përcaktuar.

“Është një degë e re e sektorit të turizmit me potencial të madh, ku punojnë njerëz shumë cilësorë”, ka thënë Rama, duke shtuar se synimi i qeverisë është të mbështesë ofruesit seriozë dhe t’i mbrojë ata nga konkurrenca e pandershme.

Rritet edhe kërkesa për transplant flokësh

Përveç trajtimeve dentare, në Shqipëri po rritet edhe numri i personave që kërkojnë transplante flokësh.

Disa klinika punësojnë mjekë nga Turqia, ndërsa të tjera janë degë të kompanive turke. Një prej tyre është Vatanmed në Tiranë, e cila ka 15 klinika në vende të ndryshme.

Sipas Ayse Mina Kasemit nga Vatanmed, pacientët tërhiqen jo vetëm nga çmimet e trajtimeve, por edhe nga mundësia për ta kombinuar procedurën me pushimet në Shqipëri.

“Kur njerëzit vendosin të bëjnë transplant flokësh këtu, duan të shkojnë edhe me pushime, sepse Shqipëria është e bukur”, ka thënë ajo.

Megjithatë, pacientët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë dy ose tri ditëve të para pas procedurës.

Ndërsa Hook nuk ka në plan të bëjë transplant flokësh, ai thotë se është mahnitur nga Shqipëria dhe veçanërisht nga Tirana dhe bregdeti.

“Ka shumë gjëra për të bërë në Tiranë dhe bregdeti është absolutisht i mrekullueshëm. Dua ta përjetoj tani, para se të bëhet shumë e popullarizuar dhe të prishet si shumë vende të tjera”, vijoi ai.