Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

4 muaj pa plazmaferezë, SHSKUK-ja e Nefrologjia fajësojnë njëra-tjetrën

Nefrologjia-spitalet

Plazmafereza është procedurë mjekësore, përmes së cilës nga gjaku largohet plazma që mund të përmbajë antitrupa ose substanca të dëmshme, ndërsa qelizat e gjakut i kthehen pacientit. Ajo përdoret për trajtimin e disa sëmundjeve të rënda, përfshirë ato autoimune dhe neurologjike

Seanca e fundit e plazmaferezës në Klinikën e Nefrologjisë është realizuar më 21 qershor të këtij viti.
Që nga ajo ditë, procedura nuk është kryer më për shkak të mungesës së materialit shpenzues.

Plazmafereza është procedurë mjekësore, përmes së cilës nga gjaku largohet plazma që mund të përmbajë antitrupa ose substanca të dëmshme, ndërsa qelizat e gjakut i kthehen pacientit. 

Ajo përdoret për trajtimin e disa sëmundjeve të rënda, përfshirë ato autoimune dhe neurologjike.
KOHA i është drejtuar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, institucion përgjegjës për furnizimin e klinikave lidhur me këtë çështje dhe përgjigjja është në kundërshtim me deklarimet e mëhershme të Klinikës së Nefrologjisë.

“Seanca e fundit e plazmaferezës në Klinikën e Nefrologjisë është realizuar më 21 qershor 2026. Pas kësaj date, Klinika nuk ka pasur në dispozicion materialin shpenzues të nevojshëm për realizimin e procedurës. Klinika e Nefrologjisë nuk e kishte përfshirë materialin shpenzues për plazmaferezë në planifikimin vjetor të nevojave”, thuhet në përgjigje.

Sipas SHSKUK-së, meqë kjo nevojë nuk ishte përfshirë në planifikimin fillestar, është kërkuar miratimi përkatës, bazuar në arsyeshmërinë e paraqitur nga Klinika për nevojën e ofrimit të këtij shërbimi.

“Pas miratimit nga menaxhmenti, për shkak të kostos shtesë, më 10 korrik 2026 kërkesa për inicimin e procedurës është proceduar në Zyrën e Financave dhe Zyrën e Prokurimit të QKUK-së për veprime të mëtejshme. Sipas Zyrës së Prokurimit të QKUK-së, deri në momentin e përgjigjes nuk kishte ardhur kërkesë me zotim të mjeteve buxhetore për inicimin e aktivitetit të prokurimit për blerjen e seteve për plazmaferezë për Klinikën e Nefrologjisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndryshe nga ky version, në një përgjigje të mëhershme për KOHËN, Klinika e Nefrologjisë pati thënë se kërkesën për furnizim e kishte bërë me kohë, por se materiali nuk ishte siguruar.

“Kërkesa për furnizim të mëtejshëm me material shpenzues është bërë me kohë, mirëpo, deri më tani nuk jemi furnizuar, gjë që pamundëson shfrytëzimin e vazhdueshëm të aparaturës”, thuhet në përgjigjen e Nefrologjisë.

E për këtë çështje, KOHA i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar sqarim për përgjigjet kundërthënëse lidhur me mungesën e materialit për plazmaferezë, por edhe nëse Ministria do të kërkojë llogaridhënie për të gjitha mungesat e barnave dhe materialeve shpenzuese në institucionet shëndetësore. Deri në publikimin e tekstit, nga Ministria nuk kanë dhënë përgjigje.
KOHA ka raportuar edhe më herët për raste kur klinikat dhe spitalet rajonale kanë dhënë përgjigje që nuk përputhen me ato të SHSKUK-së, apo me të dhënat e paraqitura në raportet e punës.