Përgjatë një viti pacientët kosovarë u përballën me pasiguri të vazhdueshme në trajtim, mungesë barnash dhe në disa raste edhe ndërprerje të shërbimeve në spitale publike. Njohës të shëndetësisë thonë se vendimet jotransparente, kontratat emergjente dhe lidhjet klienteliste mes institucioneve dhe kompanive farmaceutike e thelluan krizën, ndërsa përgjegjësia institucionale mungoi
Nga katër në dy orë u përgjysmua, për herë të parë, koha e seancës së hemodializës për pacientët në Spitalin e Mitrovicës, në një nga ditët e vjeshtës. Pa asnjë shpjegim mjekësor dhe zyrtar, këta pacientë u vunë përballë rrezikut serioz për shëndetin dhe jetën e tyre në mungesë të materialit të mjaftueshëm për hemodializë, që duhej të sigurohej nga buxheti i shtetit. Për këtë situatë nuk u kërkua e as nuk u dha asnjë përgjegjësi.
Pacientët mbetën pa garanci se edhe seanca e radhës do të zhvillohej. As materialet për dy orë trajtim nuk ishin të sigurta.
Frika se mungesa e furnizimit mund t’i linte pa terapi jetike mbizotëroi pothuajse në çdo seancë të asaj periudhe, si në Klinikën e Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme, ku në disa prej tyre pati ditë kur u ndërprenë seancat.
Kjo pasiguri, e shkaktuar nga stoku zero i materialeve, u përsërit më shumë se një herë gjatë vitit, duke prekur rreth 430 pacientë që varen nga hemodializa.
“Kontaminimi” i kontratave
Edhe pse buxheti për shëndetësi për vitin 2025 arriti rreth 105 milionë euro, mungesat e barnave dhe materialeve mjekësore mbetën të theksuara. Problem u bë mënyra se si u planifikua dhe u shpenzua ky buxhet.
Dështimet në prokurim dhe mungesa e transparencës në menaxhimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) u shoqëruan me zvarritje procedurash të tenderëve milionësh, ku ankesat e shumta në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) pas dyshime për favorizim, shtynë me muaj proceset e furnizimit.
Hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, vlerëson se mungesa e përgjegjësisë dhe dobësia në planifikim janë shkaqet kryesore të këtyre problemeve.
“Mendoj që ShSKUK-ja e ka përdorur dhe ka tentuar ta kthejë në njëfarë gogoli OSHP-në, thua se është një institucion që tashmë është krijuar dhe po i bllokon. OSHP-ja ekziston që më shumë se një dekadë. Ideja është që asnjëherë, as bordi, as menaxhmenti, as ministria nuk e ka gjykuar në mënyrë kritike mënyrën qysh bëhet planifikimi i barnave dhe planifikimi i vlerës së barnave përmes tenderëve”, ka thënë Ramaj.
Stoqet rezervë të materialit të hemodializës u shterën fillimisht në muajin korrik, kur dështoi përmbyllja me kontratë e një tenderi të rregullt milionësh, duke e detyruar ShSKUK-un të lidhë kontratë emergjente. Situata u përsërit në nëntor, me kontratë tjetër emergjente që zgjati vetëm pesë ditë dhe që u shkëput njëanshëm, për t’ia dhënë furnizimin kompanisë tjetër konkurrente, e cila po hetohet nga Prokuroria, nën dyshimin për falsifikim dokumentesh në një tender tjetër.
Keqmenaxhimi i buxhetit përmes procedurave të prokurimit u shpërfaq edhe në një proces tjetër, tejet të rëndësishëm për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Janë 4 mijë e 250 pajisje ndihmëse që u blenë me një vlerë prej gati 6.5 milionë euro. Edhe pse u kontraktuan me procedurë të përshpejtuar, shpërndarja e tyre nuk ndodhi as pas një viti e pesë muajsh. Pajisjet u mbajtën në bodrumet e ShSKUK-së dhe shumë pak persona ishin në dijeni për ekzistencën dhe mundësinë e përfitimit falas të tyre. Procesi i aplikimit për t’i siguruar ato, u hap vetëm pas raportimit të KOHËS në muajin maj.
Pajisjet u blenë shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi në treg dhe përtej kufijve të lejuar nga udhëzimi administrativ. Një bastun i thjeshtë, që në treg kushton 3-6 euro dhe që udhëzimi administrativ e kishte paraparë të blihej deri në 50 euro, u ble për 98 euro.
Sipas njohëses së sektorit të shëndetësisë, ndikimin që kanë kompanitë farmaceutike në ShSKUK është i madh.
“Nëse i shikojmë në vite, sidomos tenderët në Onkologji, shihet lidhja e kompanive private dhe ndikimi i fuqishëm i kompanive private që kanë në SHSKUK, e një prej rasteve më eklatante që besoj që hapur e tregon këtë, janë edhe tenderët e hemodializës dhe tenderi i Handikosit, për të cilin keni raportuar ju. Mendoj që aty ka pasur lidhje klienteliste, e dëshmuar, sepse nga dizajnimi i tenderit, deri në zbatimin e kontratës ka qenë çdo gjë e dizajnuar për një operator ekonomik”, ka thënë Ramaj. “Dhe ndoshta, këto janë dëshmitë më të mira që e tregojnë pse rritja e buxhetit realisht nuk e ka ndryshuar mënyrën se si trajtohen pacientët”.
“Të ndëshkuarit” shpërblehen
Vonesat në dorëzimin e produkteve të kontraktuara janë arsye pse u janë shqiptuar gjoba disa operatorëve ekonomikë gjatë vitit 2024 e edhe në 2025-s. Megjithatë, sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga ShSKUK-ja, këto ndëshkime nuk i penguan institucionet që t’u japin të njëjtave kompani kontrata të reja me vlera të mëdha.
Kompania “Santefarm” u gjobit, por në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 fitoi kontrata me vlerë mbi 4 milionë euro. Edhe “MediHealth” mori gjoba të shumta për vonesa, por fitoi tenderë emergjentë për furnizim me materiale për hemodializë. Në mënyrë të ngjashme, “Made Kos”, “Deltapharma” dhe “Meditech” ishin gjobitur për mosliferim ose vonesa, por këtë vit fituan kontrata të reja që për secilën shkojnë nga rreth 900 mijë deri mbi 1 milion euro.
Sipas Ramajt, kjo praktikë lë dyshime për lidhje dhe favorizim të kompanive të caktuara.
“Vetëm janë forcuar disa operatorë që janë konsideruar kështu, gjigantë farmaceutikë. Ata kanë shkuar duke u rritur, duke u fuqizuar edhe më shumë dhe unë nuk jam e sigurt që buxheti është shpenzuar në mënyrë kosto-efektive. Mendoj që ka pasur një thellim të raporteve klienteliste mes spitaleve publike, SHSKUK-së në këtë rast dhe kompanive farmaceutike, gjë që shkon në dëm të pacientëve”, ka thënë ajo. “Vetë fakti që një operator ekonomik në Kosovë e ka tek unë pjesën diku 60 për qind të tregut të tregut në kuptimin e blerjeve në sistemin publik, flet për një dështim të institucioneve publike shëndetësore, që këto fonde t’i ndajnë në mënyrë proporcionale te shumë operatorë, sepse tregu atëherë do të ishte shumë më i shpërndarë dhe lidhjet klienteliste nuk do të mund të ishin aq të shkurtra sa janë tani”.
Fshehja e të metave
Situatat e keqplanifikimit të barnave dhe keqmenaxhimit u nxorën shpesh në pah nga pacientët dhe profesionistët shëndetësorë. Por, menaxhmenti i ShSKUK-së zgjodhi të heshtë.
Institucioni nuk u përgjigj për muaj të tërë në pyetje të shumta që iu drejtuan gjatë vitit, ndërsa kur përgjigjet u dhanë, ato shpesh ishin të mangëta dhe nuk adresonin informacionet e kërkuara. Kjo u konsiderua si ikje nga përgjegjësia.
“Keni pasë edhe ju përvojë si media, po edhe ne tjerët që jemi përballë me tema të ngjashme, kur stoku ka qenë zero. Në disa lloje të produkteve ka pasë deklarata publike të rreme që ka furnizim dhe kjo sinqerisht mendoj që do të duhej t’i frikësonte krejt qytetarët, sepse në vendin ku gjenerohen më së shumti të dhëna në shëndetësi, shtrembërohen të dhënat”, ka thënë Ramaj.
ShSKUK-ja ua ndaloi edhe drejtorëve të spitaleve të flasin publikisht për problemet. Disa prej tyre, brenda të njëjtës javë, ndryshuan deklaratat rreth nivelit të furnizimit me materiale për hemodializë: fillimisht thanë se kanë material vetëm deri në fund të javës, ndërsa disa ditë më vonë mohuan se kishte mungesa.
Në periudhën kur ShSKUK-ja po përballej me mungesa të shumta të produkteve dhe kur u ngritën dyshime për kurdisje të tenderëve, institucioni nuk u mbikëqyr për tre muaj nga Bordi Drejtues. Edhe në mbledhjet e mbajtura më pas, asnjë anëtar i bordit nuk kërkoi llogari për vonesat në furnizim me barna esenciale apo për përgjysmimin e seancave të hemodializës.
As Ministria e Shëndetësisë nuk reagoi. Sipas Ramajt, përgjegjësia për gjendjen në shëndetësi bie drejtpërdrejt mbi Qeverinë dhe Ministrisë.
“Fakti që e ka lënë këtë bord kaq gjatë, e nënkupton që as ministri i Shëndetësisë nuk ka qenë i interesuar për ndonjë reformë. Krejt çka kemi parë prej ministrit, zotit Vitia dhe kabinetit tij, janë promovimi i disa renovimeve”, ka thënë Ramaj.
Barna as në barnatore
Situata qe e rënduar edhe me medikamentet që duhet t’i blejnë vetë pacientët.
Në muajin shkurt hyri në fuqi ligji për nivelimin e çmimeve të barnave. Por më shumë se efektet pozitive, qytetarët ndien kundërefektet.
Pacientët u kthyen në viktimë, meqë shumë barna munguan në barnatore. Munguan edhe ato më baziket, si NaCl e glukoza. Kompanitë farmaceutike refuzuan t’i furnizonin barnatoret, me arsyetimin se Ministria e Shëndetësisë ka caktuar marzhë të ulët fitimit. Me muaj të tërë pa glukozë e infuzion, mbeti edhe ShSKUK-ja.
“Një pjesë e kompanive farmaceutike vetëm ka refuzu me i futë disa lloje të barnave. Cila ka qenë përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë karshi tyre? Unë nuk e di, të paktën ne në publik nuk kemi pa që ata e kanë adresu ashtu siç e thotë ligji. Unë besoj që secila kompani duhet të mbahet përgjegjës për autorizim-marketingun”, ka thënë Ramaj. “Dikujt që i lëshohet autorizim marketingut, nuk është çështje vullneti, a ta fusë a mos ta fusë një bar në treg, sepse pacientët varen pikërisht nga ai bar”.
Në pritje për trajtim
Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria disa herë gjatë vitit promovuan renovimet e disa klinikave të QKUK-së, duke premtuar edhe shtim të shërbimeve e zvogëlim të listave të pritjes së pacientëve për të marrë shërbime. Megjithatë klinikat u përballën me lista të gjata të pritjes. Në 16 prej tyre, bazuar në dokumente që i posedon KOHA, në pritje janë mbi 12 mijë pacientë.
Numrin më të madh e ka Klinika e Kardiologjisë, në të cilën rreth 2 mijë e 700 pacientë presin për t’iu nënshtruar koronarografisë. Pas saj renditet Klinika e Ortopedisë, me rreth 2 mijë e 300 pacientë, afër 2 mijë prej të cilëve presin për vendosje të protezave të gjurit, e ka nga ta që nga viti 2019. Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, mbi 1 mijë e 600 pacientë presin për trajtim të venave varikoze.
Në Shoqatën e Pacientëve kanë thënë se mungesat e barnave dhe listat e gjata të pritjes kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë negativ në shëndetin fizik, psikologjik dhe social të pacientëve.
“Shumë prej tyre janë detyruar t’i blejnë barnat në sektorin privat ose të shtyjnë trajtimet, duke rrezikuar përkeqësim të gjendjes shëndetësore. Në raste të caktuara, vonesat në diagnostikim kanë çuar në humbje të shanseve për trajtim më efektiv dhe më pak të kushtueshëm”, kanë thënë në këtë shoqatë.
Krahas mungesës së barnave, në Odën e Infermierëve kanë vlerësua edhe mungesën e stafit, si sfidë e sistemit shëndetësor gjatë vitit 2025. Në këtë odë, thanë se kjo ka ndikuar edhe drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
“Ndër telashet kryesore veçohen mungesa e burimeve njerëzore, mbingarkesa e institucioneve shëndetësore publike, infrastruktura e pamjaftueshme, si dhe vonesat në furnizim me barna dhe materiale mjekësore. Këto probleme kanë reflektuar vështirësi të vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe cilësore për pacientët”, kanë thënë në Odën e Infermierëve.
Edhe Sigurimi Shëndetësor, i premtuar prej vitesh, ka mbetur premtim i parealizuar. Në mungesë të tij, barrën e dështimeve institucionale vazhdojnë ta mbajnë vetë pacientët, përmes shpenzimeve nga xhepi dhe pasigurisë në trajtim.