Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, ka promovuar të hënën në Tiranë punën disavjeçare mes dy qeverive, Kosovë – Shqipëri për abetaren e përbashkët.
Ajo, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se abetarja e përbashkët do të t’u shërbejë të gjithë nxënësve shqiptarë kudo që janë.
Në Shqipëri pritet të nisë të mësohet prej saj më 1 shtator, ndërkohë në Kosovë nuk dihet, meqë mësuesit janë në grevë.
“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t'u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi. Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!”, ka shkruar ministrja Kushi në Facebook.
Për këtë “promovim”, ka shkruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Gëzuar abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, ka shkruar Rama.
Edhe
Kosova e Shqipëria synojnë fshirjen e kufijve përmes abetares
Në dhjetor të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për abetaren e përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.