Në ditën e fillimit të vitit shkollor, më 1 shtator, ani pse mësimi në Kosovë nuk nisi për shkak të grevës së mësimdhënësve, është përuruar në Gjakovë abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Gjatë ceremonisë së përurimit kryeministri Albin Kurti ka thënë se abetarja do ta përbashkojë edhe më shumë kombin shqiptar në jetësimin e politikave zhvillimore në aktivitetet edukativo-arsimore.
“Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë... Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë, sepse vetëm bashkë mund të shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim”, ka theksuar Kurti në Gjakovë.
Nisja e mësimit të shkronjave shqip me një abetare të përbashkët Kosovë-Shqipëri është kualifikuar ngjarje historike nga ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci.
“Po e fillojmë nga abetarja, nga ABC-ja, këtë unifikim me dëshirë, vullnetin e punën për të vazhduar deri në instancat më të larta në arsim e jo vetëm në arsim 6 kapituj me nga 6 shkronja në një abetare unike. Kjo do të jetë përmbajtja e abetares dhe struktura e abetares së përbashkët për vogëlushët dhe vogëlushet tona në ditët e para në shkollë”.
E ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, e cila ishte e pranishme në përurim, ka vlerësuar se abetarja e përbashkët do t’i thyejë kufijtë në mes të dyja vendeve.
“Kjo abetare nuk është thjesht libri i parë më i dashur, më i çmuar, më i paharruar për të gjithë, por kjo abetare do t’i fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës...“Ky është libri që do të na bashkojë më shumë dhe do të forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin, sepse jemi një komb, kemi një gjuhë”, ka theksuar Kushi.
Abetarja e përbashkët do të jetë libër opsional, nga i cili do të mund t’i mësojnë shkronjat të gjithë fëmijët shqiptarë, në Kosovë dhe në Shqipëri.