Numri i deponive ilegale në Kosovë është rritur për 13 për qind, ndërsa cilësia e ajrit nuk ka shënuar përmirësim, ka konstatuar Raporti për Kosovën, që e ka publikuar Komisioni Evropian. Njohësi i çështjeve mjedisore, Besnik Shabiu, thotë se të dhënat janë alarmuese, dhe se dokumenti e rangon Kosovën në mesin e vendeve që nuk ka fare fokus në mjedis
Numri i deponive ilegale në Kosovë është rritur për 13 për qind brenda një viti, ka konstatuar Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i publikuar së fundmi.
Nga 403 deponi ilegale në vitin 2024, numri është rritur në 458 në vitin 2025.
Në dokument janë dhënë vërejtje edhe për inspektimet.
“Numri i deponive të paligjshme u rrit me 13.6% gjatë periudhës raportuese. Kapaciteti inspektues i institucioneve të nivelit qendror duhet të rritet urgjentisht. Planet ndërkomunale të menaxhimit të mbeturinave duhet të miratohen dhe zbatohen”, thuhet në raport.
Njohësi i çështjeve mjedisore, Besnik Shabiu, thotë se projektet mjedisore nuk mbështeten as me buxhet. E, deponitë ilegale të mbeturinave i sheh si problem prej më të mëdhenjve në fushën e mjedisit.
“Po vazhdojnë deponitë ilegale vetëm me ndërru pozicion ose lokacionin, por numri i tyre po shkon vetëm duke u rritë. Shteti nuk ka asnjë politikë të menaxhimit të mbeturinave. Krejt çka ndodhë në vendin tonë me mbeturinat, ato grumbullohen dhe groposen”, ka thënë Shabiu.
Raporti i Komisionit Evropian alarmon se as cilësia e ajrit nuk ka shënuar përmirësim.
“Ndërgjegjësimi publik për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit mbetet i kufizuar dhe gjithnjë e më urgjent. Nuk pati përparim në lidhje me cilësinë e ajrit. Ai vazhdon të paraqesë një rrezik të madh shëndetësor për shkak të vonesave në zbatimin e masave të duhura korrigjuese për të frenuar ndotjen e ajrit”, theksohet në raport.
Shabiu thotë se këto të dhëna janë alarmuese dhe se dokumenti e rangon Kosovën në mesin e vendeve që nuk ka fare fokus në mjedis.
“Fatkeqësisht këtë vitin e fundit kemi pasë pothuajse një vit të plotë krizë politike të thellë në vend dhe normalisht që vitin e fundit edhe raporti që ka dalë ndoshta pak më negativisht sesa viteve të kaluara. Shifrat janë alarmuese, por nuk janë shifra të papritshme duke marrë për bazë realitetin që po e jetojmë dhe investimet të cilat janë bërë”, ka thënë ai.
Raporti i Komisionit Evropian evidenton edhe përparim të kufizuar në zbatimin e ligjit për pylltari. Sipas të dhënave zyrtare, 40 për qind e pyjeve publike janë të ekspozuara ndaj prerjeve të paligjshme ose të pakontrolluara.