Cilësia e ajrit në Evropë po vazhdon të përmirësohet falë uljes së emetimeve nga transporti, industria dhe sektori i energjisë, megjithëse ndotja dhe fenomenet ekstreme të motit mbeten sfida serioze. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës të programit evropian Copernicus (CAMS).
Sipas raportit "Vlerësimi i Cilësisë së Ajrit në Evropë 2025", politikat mjedisore të zbatuara ndër vite kanë sjellë rezultate të dukshme, ndërsa perspektiva e përgjithshme për cilësinë e ajrit në kontinent mbetet inkurajuese, raportoi të mërkurën “Euronews”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRaporti, i cili analizon ndotësit kryesorë të rregulluar nga Direktiva e BE-së për Cilësinë e Ajrit, tregon se që nga viti 2015 emetimet e oksideve të squfurit (SOx) dhe oksideve të azotit (NOx) janë ulur mesatarisht me 3 deri në 5 për qind në vit në vendet e Bashkimit Evropian. Rënia më e madhe është regjistruar në industri dhe transportin rrugor.
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë përmirësim është rritja e përdorimit të automjeteve elektrike, të cilat po zëvendësojnë gradualisht automjetet me benzinë dhe naftë.
Si rezultat, emetimet e dioksidit të karbonit nga transporti në BE ranë nga 1.1 miliardë tonë në vitin 2019 në 1.05 miliardë tonë në vitin 2024, ose rreth 5 për qind më pak.
Ndikim pozitiv ka pasur edhe kalimi drejt burimeve të pastra të energjisë. Për herë të parë, më shumë se gjysma e energjisë elektrike neto të prodhuar në Bashkimin Evropian gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 erdhi nga burime të rinovueshme. Suedia kryeson në këtë drejtim, pasi gjatë vitit të kaluar 99 për qind e energjisë elektrike të saj u prodhua nga burime me emetime të ulëta të karbonit.
Drejtori i CAMS, Laurence Rouil, tha se Evropa po vazhdon të bëjë përparim të qëndrueshëm falë përpjekjeve të vazhdueshme për uljen e emetimeve nga transporti, industria, ngrohja e banesave dhe sektorë të tjerë kryesorë.
Megjithatë, raporti paralajmëron se moti ekstrem mund të përkeqësojë përkohësisht cilësinë e ajrit.
Temperaturat e larta, rrezatimi intensiv diellor dhe mungesa e qarkullimit të ajrit krijojnë kushte të favorshme për formimin e ozonit pranë sipërfaqes së tokës, një ndotës i dëmshëm për mushkëritë dhe bimësinë.
Autorët e raportit konstatojnë se nivele të larta të ozonit u regjistruan gjatë valëve të të nxehtit që përfshinë Evropën në muajt qershor dhe gusht të vitit të kaluar. Po ashtu, periudhat e gjata të thatësirës favorizojnë zjarret në pyje, të cilat ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e ajrit.
Sipas autorit të raportit, Paul Hamer, këto zjarre tregojnë lidhjen e ngushtë mes ngjarjeve ekstreme klimatike dhe cilësisë së ajrit, pasi tymi rrit përqendrimin e grimcave ndotëse.