Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shoshi: Kisha Ortodokse serbe me rol politik, dorë e zgjatur e Qeverisë së Serbisë

Sali Shoshi, njohës i trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, ka thënë se Kishës Ortodokse serbe i janë dhënë shumë të drejta në Kosovë.

Duke folur në “60 Minuta” të KTV-së të enjten, rreth përpjekjes së kësaj Kishe që të kryejë liturgjinë në Kishën e Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës, gjë e cila është ndaluar nga Policia e Kosovës, Shoshi ka thënë se këto të drejta kësaj kishe i janë dhënë përmes tri ligjeve.

“Me legjislacion ne iu kemi ofruar të drejta shumë të avancuara komunitetit serb në raport me trashëgimin kulturore. Janë tri ligje që e garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ortodokse: Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura, Ligji për qendrën historike të Prizrenit dhe ligji për fshatin Hoqë e Madhe”, është shprehur Shoshi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që çështja e trashëgimisë kulturore të diskutohet në dialogun me Serbinë.

E lidhur me përpjekjen për mbajtjen e liturgjisë të enjten në Kishën e Shpëtimtarit në kampusin e UP-së, Shoshi tha se Kisha Ortodokse serbe është një dorë e zgjatur e qeverisë së Serbisë dhe synon që të provokojë e më pas ta marrë rolin e viktimës.

“Institucioni i Kishës Ortodokse serbe përtej rolit të vetë shpirtëror dhe fetar, e ka edhe një rol tjetër në Kosovë, rolin politik. Është një dorë e zgjatur e qeverisë së Serbisë dhe në atë rol qëllimi kryesor është që të provokojë e që më pastaj të marrë rolin e viktimës. Zgjidhet një lokacion siç është lokacioni këtu në Prishtinë i cili është ndërtuar gjatë viteve të 90-ta, gjatë viteve kur shqiptarët kanë qenë të përjashtua tërësisht nga sistemi dhe kur regjimi i Millosheviqit, pa e pyetur askënd e merr tokën e universitetit dhe ia fal Kishës Ortodokse Serbe. Në një situatë normale Kisha Ortodokse Serbe do të duhej të kërkonte falje dhe me vullnet të mirë të heq dorë nga çfarëdo kërkese që të ketë pronësi mbi këtë kishë apo këtë lokacion. Ky institucion i cili ka shumë të drejta në Kosovë është duke e keqpërdorur atë rol dhe ato të drejta që ky shtet, ky vend dhe këto institucione i kanë dhënë”, ka thënë Shoshi.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se përveç liturgjisë në Kishën Ortodokse në Bardhosh të Prishtinës, nuk ka pasur aktivitet tjetër të paralajmëruar, duke konfirmuar se në Kishën Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës nuk është lejuar liturgjia.

Edhe Serbët thonë se Policia s’ua lejoi liturgjinë në Kishën Ortodokse në UP Arbëri Serbët thonë se Policia s’ua lejoi liturgjinë në Kishën Ortodokse në UP

Më herët gjatë ditës, nga Kisha Ortodokse u ankuan se Policia s’ka lejuar organizimin e liturgjisë në kampusin e UP-së për nder të Festës së Shpëtimtarit.

Policia ka konfirmuar se në mëngjesin e së enjtes ka ndaluar një veturë me tre persona dhe pas veprimeve verifikuese janë lënë të lirë.