Për hapësirën prej 4 hektarësh brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ku ndodhet Kisha ortodokse serbe, Rektorati ende është në kërkim të një rruge ligjore për ta kthyer në pronësi. Rektori Naser Sahiti ka shtruar nevojën që avokati i përgjithshëm shtetëror ta mbështesë Universitetin në këtë përpjekje. Në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike deputetët kanë bërë thirrje për një evidentim të shpejtë të të gjitha pronave të UP-së
Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) ende është në kërkim të një rruge ligjore për ta zgjidhur çështjen e hapësirës prej 4 hektarësh brenda kampusit të UP-së, ku ndodhet kisha ortodokse serbe “Shën Nikolla”.
Në raportimin para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, rektori Naser Sahiti ka thënë, të martën, se është duke bërë përpjekje që avokati shtetëror të marrë përsipër përfaqësimin e UP-së në rastin gjyqësor të nisur në vitin 2012, nëpërmjet të të cilit universiteti më i madh publik në Kosovë synon ta kthejë në pronësi tokën e kontestuar.
“Në kohën që unë jam duke udhëhequr Universitetin e Prishtinës e kemi trajtuar këtë çështje. E kemi pasur një seancë. Si rezultat i asaj seance ka ardhur deri te shtyrja e trajtimit të këtij problemi për mbledhje dhe seancat e tjera, të cilat nuk e dimë se kur do t’i mbajnë, por ne jemi duke u koordinuar edhe me Komunën e Prishtinës”, ka thënë rektori Sahiti.
Vendimi i fundit gjyqësor për këtë çështje është ai i vitit 2021 i Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e hodhi poshtë padinë e UP-së kundër Komunës së Prishtinës lidhur me parcelën ku ndodhet kisha. Sipas vendimit, Komuna e Prishtinës nuk mund të jetë palë procedurale pasi ajo nuk mund të disponojë me parcelën në të cilën ndodhet objekti ortodoks, i ngritur gjatë kohës së okupimit të Kosovës.
UP-ja me padi në vitin 2017 kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Dioqeza e Rashkës dhe Kisha Ortodokse në Prizren që t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papengueshëm ngastrën kadastrale.
Mungesa e regjistrimit të pronave të Universitetit të Prishtinës për shkak të problemeve të pazgjidhura pronësore me Komunën e Prishtinës, ka krijuar nevojën e krijimit të një komisioni ndërinstitucional për identifikimin e pronave nga deputetët.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila është edhe profesoreshë në UP, kërkoi që formimi i komisionit të futet në agjendën e prioriteteve të menaxhmentit.
Sahiti ka thënë se është duke u diskutuar mundësia për identifikimin e pronave të UP-së.
“Për të mos pasur gjetje nga auditori (i cili vazhdimisht e evidenton mungesën e identifikimit të pronave v.j.), ne tash i kemi dy mundësi: ose t’i shfrytëzojmë resurset e brendshme në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Departamenti i Gjeodezisë, ose të kontraktojmë kompani nga jashtë. Këtë çështje e kemi diskutuar në Këshill Drejtues”, ka thënë Sahiti, sipas të cilit Komisioni i brendshëm për këtë çështje ka paraqitur një planbuxhet prej 10 mijë eurosh për shënjimin e pronave.
Në këtë raportim, zyrtarë të Rektoratit kanë folur edhe për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2021, mes të cilave është edhe keqklasifikimi i shpenzimeve dhe shkelja në procesin e prokurimit.
Drejtori i Zyrës së Prokurimit, Selman Qorri, ka fajësuar edhe ministritë për këto parregullsi.
“Përveç faktorëve të brendshëm të cilët jemi ne UP-ja, janë edhe faktorët e jashtëm që kanë ndikuar në punën tonë, siç janë Ministria e Inovacionit, Ministria e Mjedisit, e Financave, Ministria e Tregtisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, operatorët ekonomikë, si dhe duke mos harruar pandeminë”, ka thënë Qorri, sipas të cilit mosfuzionimi i ministrive ka ndikuar në prolongimin e procedurave financiare.
Sipas Raportit të Auditorit, UP-ja gjatë vitit të shkuar ka bërë keqklasifikim të shpenzimeve në vlerë prej 195.285 eurosh.
“Keqklasifikime ishin vërejtur tek kontratat: ‘Furnizim me pajisje për përpunimin e qumështit në FBV’; ‘Furnizim me pajisje’ nga projekti GEOBIZ; ‘Furnizim me pajisje’; ‘Furnizim me laptopë’; ‘Furnizim me pajisje elektronike nga projekti’; ‘Furnizim me pajisje elektronike për VR/AR’; ‘Furnizim me pajisje të IT’; ‘Furnizimi, instalimi dhe trajnimi për pajisje të laboratorit’; ‘Renovime për FN, FIEK, FIM’”, thuhet në Raport.
Në bazë të Raportit, UP-ja kishte vonuar pagesa në vlerë prej 421.522 eurosh për operatorët ekonomikë.
“Kemi vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Pagesa për ‘mbeturina’ me vlerë 5188€ kishte 34 ditë vonesë, pagesa ‘Rregullimi i rrugëve në FBV’ me vlerë 100,119€, 171 ditë vonesë dhe pagesa ‘Furnizim me pajisje dhe materiale të ndryshme në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike’ me vlerë 316,214€, 53 ditë vonesë”, thuhet në Raport.