Shoqëria civile në Kosovë dhe Serbi ka ripërsëritur përkushtimin e saj për të punuar në mënyrë aktive drejt normalizimit të marrëdhënieve në të gjithë rajonin, në veçanti ndërtimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në përputhje me kushtet dhe frymën e nenit 6 të udhërrëfyesit të fundit për normalizimin, përmes të cilit palët kanë rënë dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në një sërë fushash.
Në një deklaratë për media të nënshkruar nga 19 organizata thuhet se narrativat përçarëse “që burojnë nga përbrenda politikës, medias dhe gjetiu po nxisin tensione, veçanërisht ndërmjet vetë komuniteteve që e bartin barrën e konfliktit”.
“Kujtimet e së kaluarës po ri-sillen në kujtesë përmes realiteteve të së tashmes”, janë shprehur ato.
Organizatat kanë vënë theksin te ndikimi që ka tensioni në komunitetet që jetojnë në veri, e më gjerë.
“Asnjë zhvillim nuk është i mundur kur njerëzit ndihen të pasigurt ose kur kanë paqartësi për të ardhmen e tyre; kur ka dyshime dhe hezitime për atë se çfarë do të ndodhë nesër. Duhet të ndërtojmë themele të forta mbi të cilat mund të ndërtohet një e ardhme e begatë. Përderisa do të ketë dyshime dhe hezitime lidhur me kotësinë e një kursi të tillë, ne besojmë fuqishëm se ka pak alternativa”.
Edhe
Katër organizata të shoqërisë civile kërkojnë që situata në veri të zgjidhet me dialog
Shoqëria civile ka thënë tutje se zgjidhja e armatosur e konflikteve nuk duhet të jetë alternativë ndaj dialogut.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të të gjitha niveleve që t’i mbështesin hapat për ndërtimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit brenda dhe ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në pajtim me kushtet dhe frymën e udhërrëfyesit të fundit për normalizim - veçanërisht nenit 6, përmes të cilit palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme”.