Arbëri

Shkaku i ofertës së lirë, Komuna e Vushtrrisë nuk ia dha tenderin një kompanie

Komuna e Vushtrrisë refuzoi t’i japë tender një kompanie për furnizim me pajisje të teknologjisë informative pasi vlerësoi se i pati çmimet më të ulëta se normalisht. Kompania u ankua se refuzimi ishte pa bazë ligjore dhe se kompaninë që komuna e shpërbleu pati ofertë më të lartë sesa e ka prezantuar në tender, meqë nuk e ka llogaritur mirë TVSH-në. Por, të premten Komuna e hodhi poshtë ankesën.

Komuna e Vushtrrisë nuk i dha kontratë një kompanie për furnizim me pajisje të teknologjisë informative, pasi vlerësoi se ofertoi me çmim jo-normalisht të ulët.

Kriteri për dhënie të kontratës ishte tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.

Nga 4 kompani që ofertuan për furnizim me shtëpiza për kompjuterë me kapacitete më të mëdha, Komuna e shpërbleu me kontratë biznesin “Clastertech”, që pati çmimin e ofertës 113 mijë euro dhe e diskualifikoi kompaninë Aritech që ofertoi me 105 mijë euro.

Rregullorja për Prokurimin Publik ia njeh të drejtën autoritetit kontraktues që të kërkojë sqarime nga operatori ekonomik lidhur me çmimin, nëse ai është më i ulët se 30 për qind nga çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm apo nëse oferta e parë me të dytën kanë dallim mbi 10 për qind në çmim.

Dallimi në çmim në këtë rast ishte 8698 euro ose 7.6 për qind më lirë sesa oferta e dytë, ndërkaq 7 për qind më e ulët se çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm.

Por, Komuna vlerësoi se me çmimet që ka ofertuar, Kompania nuk mund t’i përmbushë obligimet vartëse, tatimet, pagat e punëtorëve e të tjera dhe si rrjedhojë nuk do të ketë siguri që Kompania do të mund t’i përmbushë me sukses as obligimet e marra ndaj Komunës.

Pasi mori vendimin për refuzim të ofertës, Kompania Aritech iu drejtua Komunës së Vushtrrisë me kërkesë për rishqyrtim, duke kundërargumentuar konstatimet e saj dhe duke u shprehur se fitimi është rreth 10 për qind.

Komuna e Vushtrrisë ka konstatuar gjithashtu se çmimet e dhëna në faturë për artikujt nuk korrespondojnë me çmimet e ofruara, për çka Kompania ka dorëzuar një dokument doganor duke u shprehur se për vërtetësinë e tij e merr përgjegjësinë e plotë ligjore.

Tutje, në kërkesën për kthimin e tenderit në rivlerësim, kjo kompani u ankua në operatorin ekonomik që e fitoi tenderin, Clastertech, duke u shprehur se pati gabime aritmetike në llogaritjen e çmimeve më shumë sesa lejojnë rregullat e prokurimit.

“Pas përmirësimit të çmimeve totali del të jetë 122,945.96. Gabimi aritmetik ne total është 8%, qe e klasifikon ketë si oferte te papërgjegjshme si dhe e bën ofertën më të shtrenjtë nga të katër ofertat”, thuhej aty. 

Por në Kompaninë Clastertech thanë se çmimi që dhanë ishte i saktë dhe ashtu u vlerësua edhe nga Komuna.

“Ndonëse në tabelën e Autoritetit Kontraktues ekziston një gabim aritmetik, kjo NUK ka pasur ndikim në vlerën totale të ofertës sonë. Domethënë, oferta jonë është dorëzuar me çmim të saktë (totali me TVSH) dhe si e tillë është vlerësuar nga Autoriteti Kontraktues”.

Komuna refuzoi t’i ofrojë KOHËS qasje në informacione lidhur me pretendimet e ankuesit për shkeljet në këtë procedurë tenderimi.

“Asnjë OJQ-je të cilat trajtohen dhe nuk janë palë me interes material dhe juridik nuk do t’u lejohet qasja e kërkuar në dokumente vetëm me rastin e përmbylljes së aktivitetit të prokurimit, bazuar në nenin 7.6.4 të Rregullores për Prokurim Publik nr.001/2022. Aktualisht, me keqardhje ju njoftojmë se nuk mund të ndajmë asnjë informacion për ju e as publikun”.

Por, të premten Komuna vendosi ta hedhë poshtë kërkesën e kompanisë me ofertë më të lirë. Komuna konstatoi se personi që dorëzoi ankesën nuk ka dorëzuar edhe dëshminë e shkruar si përfaqësues i autorizuar.

E, në këtë Kompani thanë se vendimi është absurd.

“Normalisht nuk dorëzohen dokumente që nuk kërkohen në dosje. Nëse AK ka pasur dyshime në vërtetësinë e personit që ka bërë ankesë, është dashur ta kërkojë autorizimin, siç ka ndodhur në rastet e tjera”, thanë nga kompania.

Në vendimin e Komunës theksohet se kompanisë fituese i është dhënë mundësia për korrigjimin e normës së TVSH-së, pa e ndryshuar çmimin e artikullit të kalkuluar me TVSH.

Rregullorja e Prokurimit thekson se autoriteti kontraktues mund të përmirësojë gabimet aritmetike nëse nuk janë më shumë se 2 për qind. E për rastet kur shuma e korrigjuar është më e lartë se kaq, rregullorja kërkon të eliminohet operatori ekonomik.