Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sherifi: Cenimi i territorit të Kosovës, legjitimim i gjenocidit serb

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se cenimi i integritetit territorial të Kosovës është përpjekje për të legjitimuar rezultatet e politikës së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij para deputetëve të Parlamentit Evropian në kuadër të takimit të përbashkët me deputetët e Kosovës, Sherifi ka thënë se përpjekjet e Kosovës për t’i dhënë fund “Spastrimit Etnik” në veri, hasën në vesh të shurdhër.

Sherifi ka thënë po ashtu se sot po shfaqen ambiciet e Serbisë për të aneksuar territore të Kosovës.

“Pa asnjë ambiguitet, e drejta ndërkombëtare e dënon ‘Spastrimin etnik’ si formë të gjenocidit! Këtë fakt nuk duhet ta harrojë askush! Ndërhyrja ndërkombëtare kundër Serbisë ndërpreu politikën e gjenocidit serb në Kosovë. Kur është në pyetje çështja e ‘Spastrimin etnik’, shumica e popullsisë së zhvendosur me dhunë u kthyen në vendin e vet, përkundër asaj se mbi 100 mijë shtëpi ishin rrënuar. Përkundër asaj se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, banorëve të pjesës veriore të Kosovës nuk ju mundësua kthimi në shtëpitë e tyre. Fatkeqësisht, forcat ndërkombëtare paqeruajtëse që u vendosën në veri të Kosovës nuk arritën të mos lejojnë mbajtjen në fuqi të spastrimit etnik të asaj pjese të Kosovës. Të gjitha përpjekjet tona për t’i dhënë fund “Spastrimit etnik’ të kësaj pjese të Kosovës hasën në vesh të shurdhër. Sot, pas gati dy dekadash të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe nga komunat tjera të veriut të Kosovës, jemi dëshmitarë të ambicieve serbe për të aneksuar territore të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe fjalimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë, ku thuri lavde për Millosheviqin. Sipas Sherifit, nuk ka asgjë më të papranueshme për ndërkombëtarët se heshtja para provokimit të Vuçiqit.

“Po ju rikujtoj se në kohën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit kreu gjenocidin në Kosovë, Aleksandar Vuçiqi, ishte Ministër i Informatave i këtij regjimi. Bëhet fjalë për personin që kishte zbatuar dëbimin e gazetarëve të huaj dhe mediave opozitare në Serbi me të vetmin qëllim që të fshiheshin krimet e gjenocidit. Para disa ditësh, i njëjti Aleksandar Vuçiqi, por tani në cilësinë e presidentit të Serbisë, erdhi në vendin e krimit, dhe nga pjesa veriore e Kosovës thuri lavde për ish shefin e tij, Sllobodan Millosheviqin. Në vend që Aleksandar Vuçiqi të pranonte krimet e kryera nga shteti i tij gjatë luftës në Kosovë dhe të bashkëpunonte me komunitetin ndërkombëtar për ndëshkimin e krejt zinxhirit të njerëzve përgjegjës për krime dhe të kërkonte falje për këto krime, ai shfajësoi Sllobodan Millosheviqin. Gjenocidi është krimi më i rëndë në ndërgjegjen e njerëzimit. Nuk ka asgjë më të papranueshme për forcat demokratike dhe institucionet ndërkombëtare që janë krijuar mbi vlerat e civilizimit perëndimor se heshtja përpara këtij provokimi të rëndë që bëri Aleksandar Vuçiqi”, ka shtuar ai.

Edhe Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës” Arbëri 1 j. më parë Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Sipas Sherifit, nën maskën e “Shkëmbimeve të Territoreve” apo “Korrigjimeve të Kufirit” në mes të Kosovës dhe të Serbisë është duke u përgatitur terreni që të legjitimohet politika e gjenocidit serb në Kosovë.

“Pretendimet e Serbisë për të aneksuar pjesën veriore të Kosovës duhet të alarmojnë të gjitha forcat demokratike në botë dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare. Të gjithë e dimë se realiteti i krijuar në veri të Kosovës është pasojë e gjenocidit serb. Të gjitha viktimat e kësaj forme të gjenocidit presin të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të dëmshpërblehen për të gjitha dëmet që kanë përjetuar. Në të kundërtën, cenimi i integritetit territorial të Kosovës, nën pretekstin e këtij “Realiteti Etnik”, është përpjekje për të legjitimuar rezultatet e politikës së gjenocidit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Edhe herën e kaluar kemi debatuar rreth temës që lidhet me krimet e luftës dhe rrugën drejt pajtimit. Kosovës dhe qytetarëve të saj u duhet të ngadhënjejë drejtësia, që të mbyllet një kapitull tragjik. Ndriçimi i plotë i krimeve është kusht i domosdoshëm që ky kapitull të mbyllet dhe të ecim drejtë rrugës së pajtimit”, ka përfunduar ai.