Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shefqeti: Dëshmitarët e mbrojtjes, kthesa kryesore e procesit në Hagë

florim shefqeti

Avokati Florim Shefqeti ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale ishin kthesë kryesore e procesit gjyqësor ndaj tyre.  

Ai ka thënë se avokatët e katërshes së UÇK-së arritën me bindje ta sfidonin Prokurorinë në secilin detaj që dhanë në aktakuzë. Sipas Shefqetit, mbrojtja e tyre e ndryshoi në tërësi diskursin e akuzës. 

“Me dëshmitarët e mbrojtjes të cilët e ngritën në një nivel tjetër diskursin e diskutimit në raport me akuzën e Prokurorisë dhe Prokuroria ra në defansivë absolute duke pa që drejtimi i aktakuzës së tyre nuk dërgonte askund. Kthesa kryesore e këtij procesi ka qenë kjo. James  Rubin, Wesley Clark, Christopher Hill e të tjerë. Aftësia e avokatëve, posaçërisht Mishetiq, e ndryshuan në tërësi diskursin e akuzës dhe Prokuroria u detyrua ta ndjekë strategjinë e mbrojtjes”, ka thënë ai në “Interaktiv”. 

Të mërkurën, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi dhanë deklaratat përmbyllëse duke u deklaruar të pafajshëm. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë. 

Thaçi i tha trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.

Edhe Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mohuan akuzat, thanë se luftuan për mbijetesë dhe liri Arbëri Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mohuan akuzat, thanë se luftuan për mbijetesë dhe liri

“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ai.

Ai tha se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon Prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

Sikurse Hashim Thaçi, edhe Kadri Veseli tha se u kthye nga mërgimi në Kosovë. Ai tregoi se vendimin për këtë e mori në kohën sa studionte në Universitetin e Fribourgut në Zvicër, kur ndodhën masakrat e para, në Likoshan e Prekaz. Veseli shprehu besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”, u shpreh Veseli.

E, gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të Prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Edhe Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit Arbëri Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit

“Megjithëse, prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal”, tha Selimi.

Edhe Jakup Krasniqi tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.

“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e vetë këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzë”, tha Krasniqi.

Lirimin e të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, e kërkuan avokatët e tyre në fjalën e fundit para trupit gjykues në Hagë.

ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit, si argument paraqet vendosmërinë e tij për themelimin e Speciales Arbëri Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit, si argument paraqet vendosmërinë e tij për themelimin e Speciales

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.