Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mirëpritur të hënën Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kurti e falënderoi Albrightin për bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e zbatimit sa më të shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik.
“Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”, thuhet të ketë thënë Kurti.
Sipas njoftimit, Albright është shprehur falënderuese për ratifikimin e shpejt të marrëveshjes në Kuvend dhe ofroi gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj.
“Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në”, thuhet në komunikatë.
Edhe
Administrata Trump konfirmon vazhdimin e marrëveshjes së Kosovës me MCC-në
Vizita e Albrightit në Kosovë u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë amerikan. Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe vlerësohet se do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.
Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Albright është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.