Arbëri

SHBA-ja, Gjermania e Britania në krah të BE-së, Kurti s`pranon të komentojë

Derek Chollet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Britania e Madhe kanë ofruar mbështetje për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, një ditë pasi zyrtarët e saj u akuzuan nga kryeministri Albin Kurti për anshmëri. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar angazhim konkret në bisedimet Kosovë-Serbi. Por reagimit të Bashkimit Evropian ndaj akuzave që ia bëri një ditë më parë, nuk iu përgjigj kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta komentojë përgjigjen e Bashkimit Evropian, lidhur me akuzat që ai ia bëri një ditë më parë.

Akuzat e Kurtit për anshmëri të emisarit evropian në procesin e dialogut, Miroslav Lajçak, në Bashkimin Evropian i kanë quajtur të pabaza.

Po ashtu nga blloku evropian është kërkuat formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa vënë parakushte.

Përkrahje për Bashkimin Evropian të martën kanë dhënë Gjermania e Britania e Madhe.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, derisa ka ndarë deklaratën e Bashkimit Evropian, ka thënë se duhet angazhuar në mënyrë konstruktive e pa vonesa.

“Një thirrje e qartë kristal e Bashkimit Evropian drejtuar Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim pa vonesa të mëtejshme”, shkroi Rohde.

Thirrjen e Bashkimit Evropian e ka mbështetur edhe Britania e Madhe.

Paraprakisht, presidentja Vjosa Osmani është takuar me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, në kuadër të qëndrimit të saj në SHBA.

Chollet ka kërkuar shtensionimin e situatës në veri e angazhim urgjent në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, nevojën për të shtensionuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e raporteve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në BE”, ka shkruar Chollet.

E, sipas njoftimit nga Presidenca, në takimin me Cholletin, por edhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, Osmani ka theksuar se suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e marrëveshjes.

“Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-së, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani.

Përmes një deklarate për media, Bashkimi Evropian ka kërkuar që zbatimi i marrëveshjes të bëhet sipas propozimit që është bërë më 14 shtator, e që marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa vonesa e pa parakushte.