Vendet e bllokut evropian kanë shprehur keqardhjen për mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Nëpërmjet një deklarate, BE-ja ka bërë thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa e pa parakushte. Thirrjen e Bashkimit Evropian e kanë mbështetur Gjermania, Britania e Madhe e SHBA-ja. Kryeministri Kurti nuk ka pranuar të komentojë kërkesën e BE-së
Diskutimet brenda Bashkimit Evropian për ecurinë e dialogut mes Kosovës e Serbisë janë bartur në New York, siç është paralajmëruar, ku po qëndrojnë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe liderët e BE-së, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në një takim mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për takimin e fundit në nivel të lartë në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka raportuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ai ka thënë se ministrat kanë shprehur keqardhje për mungesën e progresit në takimin e fundit, të mbajtur më 14 shtator. Në një komunikatë, që është lëshuar në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, thuhet se BE-ja i fton palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe se kjo do të thotë që të nisin implementimin në bazë të propozimit të BE-së pa vonesa të reja, që e përfshin po ashtu edhe obligimin për të dyja palët që në tërësi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog.
Fjala është për një propozim të BE-së, për të cilin është thënë se e ka refuzuar Kosova në takimin e fundit.
Puna për të themeluar Asociacionin-Bashkësinë e komunave me shumicë serbe duhet të nisë pa vonesa të reja dhe pa parakushte, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.
Edhe
BE: Puna për themelimin e Asociacionit të nisë pa vonesa të reja dhe pa parakushte
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media, të hënën, ka shpalosur detaje nga takimet bilaterale e trilaterale që janë zhvilluar më 14 shtator. Të martën, Bashkimi Evropian ka përmendur parimin e konfidencialitetit.
“BE-ja ua kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet tutje në komunikatën e bllokut evropian.
Në të njëjtën komunikatë, që në emër të BE-së e ka lëshuar përfaqësuesi i lartë Borrell, shprehet edhe shqetësimi i Bashkimit Evropian për mungesë të progresit nga të dyja anët për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Hapat e ndërmarrë deri më tash janë vlerësuar të pamjaftueshëm, prandaj përsëritet se në këto rrethana masat ndaj Kosovës do të mbahen, por BE-ja është e gatshme që t’i heqë ato në rast të progresit apo edhe të shqyrtojë masa shtesë ndaj të dyja palëve, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.
Masat ndaj Kosovës mund të hiqen, por edhe të shtohen
Po ashtu, në komunikatën e Bashkimit Evropian kësaj radhe shprehet shqetësim edhe për sulmet ndaj policëve apo kadetëve me kombësi serbe, të rekrutuar së fundi nga ana e Policisë së Kosovës. Sulmet e tilla janë quajtur të papranueshme.
“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri tash mbesin të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – përfshirë shpronësimet në veri, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimi i forcave speciale të policisë për detyrat policore në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe kjo rrezikon të kontribuojë në rritjen e mëtejme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të Policisë së Kosovës/popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit për energjinë nga Serbia, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në vijë me Marrëveshjen për normalizim dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e dialogut”, thuhet në letrën e Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm që të heqë masat “në rast të përparimit të kërkesave ekzistuese” derisa ka paralajmëruar edhe masa të mëtutjeshme ndaj të dyja palëve nëse shihet e nevojshme.
Të hënën, kryeministri Albin Kurti, në konferencën për media, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për anshmëri në procesin e bisedimeve.
Madje, sipas Kurtit, në takimet e 14 shtatorit emisari Lajçak ka mbajtur anën e Serbisë, duke fshehur faktin që ajo nuk ka bërë asnjë propozim për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel e aneksit të saj në Ohër.
Por zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, i ka quajtur si të pabaza akuzat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Nuk mund t’i komentojmë komentet e kryeministrit Kurti, sidomos kur janë pretendime të pabaza”, ka thënë Stano në një konferencë për media, të martën.
Zëdhënësi i BE-së ka rikujtuar se të gjitha vendet anëtare kanë përsëritur mbështetjen e plotë për Lajçakun, si dhe për përfaqësuesin e lartë, Borrell.
Edhe
BE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës ta fillojë pa vonesa themelimin e Asociacionit
“Ata e mbështesin që ai t’i ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që të normalizojnë marrëdhëniet. Kjo deklaratë është e mbështetur nga 27 vende të Bashkimit Evropian. 27 vendet e BE-së kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin obligimet e tyre pa asnjë vonesë. Gjithashtu ua kujtojnë palëve për principin e konfidencialitetit në dialog. Kjo është shprehur shumë qartë për të dyja vendet”, ka thënë ai.
SHBA-ja, Gjermania e Britania në krah të BE-së, Kurti s`pranon të komentojë
Lidhur me vlerësimin e Bashkimit Evropian se akuzat e bëra në drejtim të zyrtarëve të saj janë të pabaza, të martën, nuk ka pranuar të deklarohet kryeministri Albin Kurti. Pasi mori pjesë në nënshkrimin e kontratave për mbështetje financiare për përfituesit nga radhët e komuniteteve joshumicë, Kurti nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me kundërpërgjigjen e BE-së e as me deklarimin se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin duhet të nisë pa vonesa e pa parakushte.
Ndërkohë, përkrahje për Bashkimin Evropian të martën kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Britania e Madhe.
Kanë kërkuar angazhim konstruktiv e pa vonesa të mëtutjeshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Një thirrje e qartë kristal e Bashkimit Evropian drejtuar Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim pa vonesa të mëtejshme”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, derisa ka ndarë deklaratën e Bashkimit Evropian.
Thirrjen e Bashkimit Evropian e ka mbështetur edhe Britania e Madhe. “Mbretëria e Bashkuar qëndron prapa kësaj thirrjeje të qartë nga 27 vendet anëtare të BE-së për Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në postimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
Paraprakisht, presidentja Vjosa Osmani është takuar me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, në kuadër të qëndrimit të saj në SHBA. Chollet ka kërkuar shtensionimin e situatës në veri e angazhim urgjent në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, nevojën për të shtensionuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e raporteve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në BE”, ka shkruar Chollet në rrjetet sociale, pas takimit.
E, sipas njoftimit nga Presidenca, në takimin me Cholletin, por edhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, Osmani ka theksuar se suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e marrëveshjes.
“Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-së, që është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Osmani.
Takimet me zyrtarë amerikanë, Osmani është duke i zhvilluar në kuadër të qëndrimit të saj në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Mes të tjerësh, Osmani të martën është takuar edhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt të këtij viti janë dakorduar në Bruksel për marrëveshjen bazë në mes tyre, e cila fillimisht ishte paraqitur si propozim nga Franca dhe Gjermania, në shtator të një vitit më parë. Një muaj më vonë, më 18 mars, në Ohër, liderët e të dyja shteteve u dakorduan për Aneksin e Marrëveshjes së Brukselit. Që nga ajo kohë, me gjithë takimet që janë zhvilluar në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, e të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, palët nuk kanë rënë dakord për ecurinë e zbatimit të marrëveshjes e aneksit të saj.
Edhe
Kurti: S’ka Asociacion, pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës
Derisa Kosova insiston që marrëveshja të zbatohet në tërësi të saj, një gjë e tillë nga Serbia është kushtëzuar me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një nga dhjetëra marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, e që nuk janë zbatuar në terren.
Në ndërkohë, diskutimet janë zhvendosur në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pas tensioneve të fundmajit, e shkaku i të cilave ndaj Kosovës u vendosën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.