Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Borrelli kritikohet për fajësimin e barabartë të palëve pas takimit në Bruksel

Josep Borrell

Josep Borrell

Me gjithë gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’i nënshkruar Marrëveshjen bazë dhe planin e ri evropian, përfshirë draftin e statutit të Asociacionit, në Bruksel kanë bërë njëlloj përgjegjëse palët për dështimin për ta arritur marrëveshjen. Në Parlamentin Evropian ka pasur deputetë që e kritikuan këtë qasje, teksa njohës të zhvillimeve kanë thënë se BE-ja fillimisht duhet t’i korrigjojë gabimet për të pasur sukses në dialog

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, është kritikuar të premten, pasi që Serbinë dhe Kosovën i ka bërë njëlloj përgjegjëse për mungesën e një marrëveshjeje, e cila synohej të arrihej mes dy shteteve në takimet e mbajtura një ditë më parë në Bruksel.

Pas këtyre takimeve, Borrelli e ka ndarë përgjegjësinë, ani se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar planin e ri evropian, i cili e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Daniel Serwer, ekspert amerikan për çështjen e Ballkanit, ka thënë se për sukses në dialog, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) fillimisht duhet që t’i korrigjojnë gabimet e tyre.

“Kjo do të nënkuptonte ribalancimin e politikës ndaj Prishtinës dhe largimit nga Beogradi. Do të thotë gjithashtu të heqësh dorë nga qëllimet tepër ambicioze. Asociacioni dhe madje edhe njohja nëse vjen pas tij nuk janë të realizueshme, e para për shkak të shqetësimeve në Prishtinë dhe e dyta për shkak të shqetësimeve në Beograd”, ka thënë Serwer. “I ashtuquajturi dialog ‘teknik’, që Beogradi dhe Prishtina ndoqën para vitit 2013, ishte shumë më i suksesshëm se dialogu ‘politik’ që erdhi më pas. Ai prodhoi marrëveshje të shumta që synojnë të përmirësojnë jetën si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Disa nuk janë zbatuar plotësisht. Është koha për t’u kthyer në ato. Disa mund të kenë nevojë për rishikim”.

Serwer ka vlerësuar se për të siguruar zbatimin e marrëveshjes, amerikanët dhe evropianët duhet të formojnë një grup monitorues, si Zyra Civile Ndërkombëtare që pati mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës.

Edhe Kolumne Rimendimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe limitet e Bashkimit Evropian

“Një grup i tillë do të duhej të përfshinte, përveç liderëve të shquar evropianë dhe amerikanë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, si dhe organizata joqeveritare. Synimi duhet të jetë zbatimi 100 për qind i marrëveshjeve teknike ekzistuese dhe çdo marrëveshje shtesë të arritur”, ka thënë ai.

Kritika janë shprehur edhe nga eurodeputeti i Gjermanisë, Reinhard Butikofer, i cili ka pyetur BE-në se si është e mundur që presidenti serb të mos mbahet përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe për refuzimin që ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, të cilën Borrelli e përmend është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të ‘harrohet’ përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë. Pra, pse atëherë Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer në Platformën “X”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur sërish përgëzime për Kosovën mbi pranimin e propozimit të ndërkombëtarëve për të përparuar në zgjidhjen e çështjes së Asociacionit. Por Rama, i cili e kishte akuzuar ashpër Kurtin në disa raste për mosdëgjueshmëri ndaj ndërkombëtarëve, nuk është shfaqur i tillë edhe me Vuçiqin që e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes.

“Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time që udhëheqja e Kosovës më në fund bëri gjënë e duhur në takimin e djeshëm të Brukselit! Duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor, Kosova sot ndodhet në një pozitë shumë më të mirë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Është koha kritike që Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Çdo gjë e pranuar dhe dakordësuar deri tani duhet të zbatohet pa vonesë. U bëj thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të mbajnë këtë momentum dhe të shtyjnë palët drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka shkruar Rama të premten. “Mjaft më duke parë gishtin teksa gishti tregon hënën. Mjaft më me të njëjtat muhabete të vjetra dhe të rrezikshme. Mjaft më me shmangien e paqes dhe ushqimin e fantazmave të së kaluarës për hir të vogëlsisë së politikës së brendshme. Shikoni jo shumë larg nga këtu se çfarë u ndodh atyre që i shmangen paqes dhe angazhohen në lojëra ‘o të gjitha, o asgjë’. Ne kemi nevojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në këtë lagje të Evropës”.

Pas dështimit në arritjen e dakordimit për zbatimin e planit të prezantuar nga pesë vendet e QUINT-it, i cili është diskutuar ndaras me Kurtin e Vuçiqin të enjten, Borrelli nëpërmjet një deklarate për media ka thënë se kjo ndodhi për shkak të parakushteve që palët i kanë vendosur njëra-tjetrës.

Edhe Kolumne Miklimi i Serbisë

“Është një pengesë e madhe e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë Borrell. “Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane”.

Por sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante Marrëveshjen bazë, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja dhe vendi i duhur për ta bërë këtë. Kurti ka shprehur gatishmëri për ta firmosur edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, i cili flet për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Sipas ekzekutivit, Vuçiqi ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën i zhbën tri parime të Marrëveshjes bazë, të Aneksit të zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor.