Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Diskutimet që u përmbyllën pa marrëveshje

Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar javën e shkuar nga diplomatët euroatlantikë. Por, sipas komunikatës së Qeverisë, nënshkrimi i marrëveshjes është refuzuar nga Serbia. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se “nuk bëhet fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrime të ndonjë gjëje”, porse për “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, duke iu referuar propozimit ndërkombëtar për Asociacionin

Borrell: Palët i vunë parakushte njëra-tjetrës, s’patën gatishmëri për pajtim

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë mbajtur të enjten takime të ndara me Borrellin, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas përfundimit të takimeve, Borrell ka thënë se palët i kanë vendosur parakushte njëra-tjetrës.

“Është një pengesë e madhe, e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë Borrelli në një deklarim për uebfaqen e BE-së. “Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane”.

Edhe Kurti raporton në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel Arbëri Kurti raporton në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel

Ai ka bërë të ditur se të dyja palëve u është përsëritur qëndrimi se BE-ja kërkon normalizim të raporteve.

“Jemi shumë të shqetësuar me ngërçin në procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për sulmet e fundit terroriste, të cilat i dënuam përsëri në takimet që i patëm ndarazi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidentin Macron, kancelarin Scholz, kryeministren Meloni dhe më pas edhe me presidentin Vuçiq, me qëllim që të diskutojmë me ta lidhur me situatën, duke theksuar edhe një herë se e vetmja rrugë përpara është normalizimi nëpërmjet dialogut, se rruga evropiane e kërkon normalizimin midis tyre”.

Kurti pranon pakon e plotë evropiane, akuzon Vuçiqin për refuzim

Pas përmbylljes së takimeve, nga Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për shtyp, është njoftuar se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar javën e shkuar nga diplomatët euroatlantikë. Por, sipas komunikatës, nënshkrimi i marrëveshjes është refuzuar nga Serbia.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruante edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023, edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të kryeministrit Kurti, presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët, më 21 tetor 2023”, është thënë në njoftimin e Qeverisë. “Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”.

Në njoftimin e Qeverisë është bërë e ditur se Kurti ka thënë që “pranimi (i marrëveshjes) nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”.

E presidenti i Serbisë ka theksuar se “nuk bëhet fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrime të ndonjë gjëje”, porse për “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, duke iu referuar propozimit ndërkombëtar për Asociacionin.

Vuçiq: Thamë qartë se Serbia s’mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Image

Në deklarimin për media pas takimeve, Vuçiq ka theksuar se Serbia e dëshiron zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, prej asaj Bazë të 2013-s e deri tek ato të arritura më vonë në Bruksel dhe në Ohër, porse ka insistuar që Beogradi zyrtar nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Përherë e kemi theksuar vetëm një gjë, e cila gjithmonë është përsëritur, e ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as pavarësinë e saj, dhe bazuar në këto qëndrime kemi thënë se jemi të gatshëm t’i përmbushim të gjitha ato që janë dakorduar”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve.

Marrëveshja e Ohrit, për të cilën palët janë pajtuar më 18 mars, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore mes Kosovës e Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve, si dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Vuçiqi, duke e kualifikuar letrën e 21 tetorit të diplomatëve evropianë si bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen, ka thënë se është i gatshëm për formimin e Asociacionit “në përputhje me propozimet që i kemi marrë”.

“Letra ka të bëjë kryekëput me formimin e Asociacionit. Nuk mundem të flas për hollësitë, ngase nuk jemi dakorduar që të flas për hollësitë. Shikoni, i jemi përmbajtur në mënyrë shumë konkrete dhe askund nuk ka rrjedhur asnjë hollësi apo çfarëdo qoftë nga letra, ngase marrëveshja është e tillë”, ka thënë Vuçiq, i pyetur nëse dokumenti i udhëheqësve perëndimorë ka të bëjë me Asociacionin.

Një ditë më parë, nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se pesë diplomatë perëndimorë, gjatë vizitës së javës së shkuar, kanë propozuar “një plan të ri” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, krahas draftit për “zbatimin e nenit 7”, siç e quan Qeveria, e që BE-ja të martën e ka identifikuar si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Në një përgjigje për KOHËN, në Qeveri patën konfirmuar se kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë kornizë për vazhdimin e diskutimeve.

Kurti insiston se pas Banjskës siguria është prioritet, Vuçiq thotë se askush s’ia përmendi sanksionet

Takimet e së enjtes në Bruksel janë kualifikuar si një përpjekje e Perëndimit për të ringjallur dialogun, pas sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Edhe Borrell: Palët vunë parakushte për njëra-tjetrën, s’patën gatishmëri për pajtim Arbëri Borrell: Palët vunë parakushte për njëra-tjetrën, s’patën gatishmëri për pajtim

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, Kurti gjatë takimit të së enjtes ka përsëritur se për Kosovën prioritet është siguria, në veçanti ajo e kufirit me Serbinë, pas sulmit terrorist në Banjskë. Ai ka theksuar se në mënyrë që sulmet e tilla të mos përsëriten më kurrë nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë, ndërkaq ka kërkuar që grupi terrorist, përfshirë Milan Radoiçiqin, të ekstradohen në Kosovë.

Por presidenti serb u ka thënë mediave se në takimin që ka pasur në Bruksel askush nuk ia ka përmendur sanksionet ndaj Serbisë lidhur me rastin.

“Askush nuk ka përmendur kurrfarë sanksionesh kundër Serbisë. Po dëgjoj se këta të tjerët i përmendën”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar palës kosovare. “Asnjëherë nuk kam thënë që të vendosen sanksione ndaj Prishtinës apo se dikujt tjetër duhen vendosur sanksione. Kur vendosen sanksionet, ju hyni në një atmosferë të keqe”, ka shtuar ai.

Në sulmin e 24 shtatorit, përgjegjësinë për organizimin e të cilit e ka marrë Radoiçiqi, kanë mbetur të plagosur edhe dy policë të Kosovës, ndërsa janë vrarë tre nga sulmuesit.

Ngjarja ka nxitur shqetësimin e diplomacisë perëndimore për qëndrueshmërinë në rajon, duke bërë që Aleanca Veriatlantike e NATO-s të shtojë trupat në terren dhe që diplomatët perëndimorë të shtojnë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Michel e Meloni: Normalizimi është thelbësor

Image

Kryetari i Këshillit Evropian (KE), Charles Michel, ka deklaruar se kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është thelbësor.

“Së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe kolegët e BE-së u takova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shtensionimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë thelbësor”, ka shkruar Michel në rrjetin social X. Kryeministrja italiane Meloni ka deklaruar se nga Kurti dhe Vuçiqi ka kërkuar zbatim të marrëveshjeve të dakorduara.

E një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja si “rrugë të vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive” mes vendeve.

Rama përgëzon Kosovën për pranimin e planit ndërkombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti për pranimin e propozimit ndërkombëtar për të përparuar në zgjidhjen e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nëpërmjet instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.

Ai ka shkruar të enjten në X se kjo është pikë kyç dhe se liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht pa vonesa.

“Përgëzoj kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS-në, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Rama.

Ai ka vlerësuar se rajoni meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme pa konflikte, pa lojëra fajësimi dhe pa kthime “që na dëmtojnë të gjithëve”.

Gërvalla: BE-ja të sanksionojë Serbinë, çdo vonesë nxit përshkallëzimin

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka ftuar Bashkimin Evropian që të sanksionojë Serbinë për sulmet e 24 shtatorit në Banjskë, duke shtuar se Serbia edhe një herë refuzoi përpjekjen për normalizim të raporteve.

Edhe Asnjë rezultat në dialog, Borrelli fajëson Kurtin se ia refuzoi propozimin Arbëri Asnjë rezultat në dialog, Borrelli fajëson Kurtin se ia refuzoi propozimin

Ajo ka shkruar në Twitter të enjten mbrëma se çdo vonesë në sanksionimin e Serbisë “do të shërbejë vetëm për të nxitur përshkallëzimin e mëtejshëm”.

“Serbia ka refuzuar edhe një herë përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit kundër Kosovës më 24 shtator 2023. Çdo vonesë do të shërbejë vetëm për të nxitur përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shtuar ajo.