Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim të enjten në Bruksel, duke iu referuar propozimit të ri evropiano-amerikan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e që u është prezantuar palëve më 21 tetor.
Pas takimeve, Borrelli ka thënë se palët i kanë vendosur parakushte njëra-tjetrës.
“Jemi shumë të shqetësuar me ngërçin në procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se palëve u është bërë e qartë se “e vetmja rrugë përpara është normalizmi nëpërmjet dialogut” dhe se “BE-ja kërkon normalizim të raporteve”.
“Është një pengesë të madhe e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë Borrelli për uebfaqen e BE-së. “Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane”.
“Do të vazhdojmë të insistojmë dhe punojmë në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Por sot, fatkeqësisht, nuk ishte e mundur pa, siç e thash, parakushtet e secilës palë që ishin të papranueshme për palën tjetër”, ka përfunduar Borrell.
Edhe
Diskutimet që u përmbyllën pa marrëveshje
Para se të flasë Borrelli, Qeveria e Kosovës ka dalë me deklaratë duke thënë se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë që të enjten të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit, Aneksin e Zbatimit dhe draft-asociacionin e propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor. Megjithatë, Qeveria dhe Kurti kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjeve. E Vuçiqi ka thënë se “nuk bëhej fjalë për nënshkrime” por për “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”.