Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja e shqetësuar për aksionin në veri, thotë se raportet po përkeqësohen

Jeffrey Hovenier

Foto: Alban Bujari

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara dhe zhgënjyera për aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri, për mbylljen e strukturave paralele në komunat veriore.

Në një reagim të Ambasadës amerikane në Kosovë aksioni i së premtes në veri është cilësuar si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në reagim është thënë se ky aksion “nuk ka qenë i koordinuar me asnjë element të komunitetit ndërkombëtar”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhet në reagim.

Në reagim, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtarisht”.

SHBA-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës po e instrumentalizon Policinë dhe se nuk po i qëndron premtimit për “konsulta dhe koordinim të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”.

Në këtë komunikatë, SHBA-ja ka thënë po ashtu se këto veprime të Qeverisë së Kosovës do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet vartëse të saj.

Të premten pasdite, Qeveria e Kosovës njoftoi se në një aksion të Policisë së Kosovës janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në katër komunat në veri të vendit.