Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala: Reforma në drejtësi do të vazhdojë pavarësisht kundërshtimeve

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se procesi i reformimit të drejtësisë do të vazhdojë pavarësisht kundërshtimeve, siç është rasti i Këshillit Prokurorial të Kosovës që po refuzon takimet konsultuese për shkak të ligjit të ri për KPK-në.

KPK-ja dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk morën pjesë as në takimin e grupit punues për vettingun më 27 qershor. Por Shala thotë se kryesuesi i KGJK-së e ka marrë njoftimin me vonesë, ndërsa për KPK-në thotë se do të ishte mirë të ishin prezent.

“Sipas informacioneve që kam, kryesuesi i KGJK-së e ka marrë njoftimin me vonesë dhe për këtë arsye s’ka ardhur. Do të ishte mirë të ishin prezent. Reforma do të vazhdojë gjithsesi, sepse është nisur në atë kah. Është më mirë që ata të jenë të përfshirë në këto takime. Unë jam me shpresë që shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kalojnë në vetting”, ka thënë Shala në “60 Minuta” të KTV-së.

E për dërgimin në Kushtetuese të ligjit të ri për KPK-në nga ana e dy partive opozitare të premten, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shala u shpreh se është e drejtë e tyre, por se, sipas saj, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë MD-së.

“Është një e drejtë të cilën e kanë shfrytëzuar. Ky projektligj ka kaluar në sitën e Komisionit të Venecias dhe kemi marrë dritën e gjelbër sa i takon këtyre ndryshimeve. Ligji i ri e fuqizon KPK-në. Komisioni i Venecias identifikon një korporatizëm, një përbërje jo të balancuar në KPK. Nga 13 anëtarë sa janë, 10 kanë qenë prokurë. Propozimit është që numri i anëtarëve të Këshillit të zvogëlohet në shtatë, katër prokurorë dhe tre joprokurorë. Nuk politizohet Këshilli me ligjin e ri ashtu siç po pretendojnë partitë opozitare, por do të fuqizohet”, shtoi ajo.

Edhe IKD-ja dhe GLPS-ja akuzojnë u.d. të kryeprokurorit Agon Qalaj se po e pengon reformën në KPK LAJMET E MBRËMJES IKD-ja dhe GLPS-ja akuzojnë u.d. të kryeprokurorit Agon Qalaj se po e pengon reformën në KPK

Për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, zëvendësministrja ka thënë se ishte një proces që u përcoll me disa dilema që nuk duhet t’i reflektojë sistemi prokurorial i Kosovës.

“Por ishte një proces që nuk është më i drejti dhe më i miri që duhej të ishte realisht. Është në dorën e presidentes nëse do ta dekretojë. Për mendimit tim, duhet të veprojmë me standarde”, ka thënë Shala.