Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka deklaruar se faji i tkurrjes së Vettingut i takon Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë, që nuk kanë arritur ta bindin Komisionin e Venecias lidhur me problemet që i ka sistemi i drejtësisë.
Ai në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar po ashtu se nuk ka pasur një planifikim adekuat dhe se në këtë proces, tanimë jemi të vonuar.
“Fillimisht, qysh është elaboruar deri tash, Vettingu nuk është i njëjtë. Premtimi ka qenë që do të votohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, dhe tani kemi një Vetting të reduktuar në krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë, anëtarët e KGJK-së, KPK-së, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët. Në rastin konkret, ideja ka evolu për shkak të një opinioni të Komisionit të Venecias. Në asnjë rrethanë, ne nuk duhet me vë në diskutim zbatimin e rekomandimeve të opinionit të Komisionit të Venecias. Nuk është fare relevante ajo nëse të njëjtat janë obligative apo jo, por duhet të tregojmë shembull të demokracisë, të sundimit të ligjit. Mirëpo, në këtë tkurrje të Vettingut nuk është që edhe Ministria e Drejtësisë edhe Qeveria janë pa përgjegjësinë e tyre. Kjo pasi, në koncept-dokumentin e miratuar nga ana e Qeverisë lidhur me zhvillimin e procesit të Vettingut, nuk është pasqyruar drejt gjendja në të cilën ndodhet sistemi kosovar i drejtësisë. Në bazë të asaj çka shihet në koncept-dokument, për besë edhe ne vetë që e lexojshim thonim nëse është gjendja kështu, nuk qenka keq deri në nivelin që kërkon Vetting”, ka theksuar Shala.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja që para se të publikohet në qershor, e kishim një draft-opinion që në fakt e ka ndaluar Vettingun krejt.
“Ne që e monitorojmë sistemin e drejtësisë dhe i dimë problemet, kulturën e pandëshkueshmërisë, mungesën e llogaridhënies, e dimë që vrahen gra për shkak të dështimit të institucioneve, Prokurorit të Shtetit dhe nuk merret askush në llogari, etj; si riciklohen pozitat brenda sistemit prokurorial. Ne e dimë që këtu nuk ka zgjidhje tjetër përpos Vettingut. Por, që fatkeqësisht kjo nuk është reflektuar mjaftueshëm në opinionin e Komisionit të Venecias. Dhe ky nuk është rasti i parë, e kemi pasur rastin e opinionit të parë të Ligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që Komisioni i Venecias thotë një shprehje “të dhënat e pabazuara në fakte”, është shprehur Shala në “Tempus”.
Edhe
Shala: Qeveria ka dështuar në reformat për luftimin e korrupsionit
Sipas tij, vëzhguesit objektiv të Komisionit të Venecias kjo nuk i ka bindur. Ai tha se në këtë proces jemi të vonuar dhe se këtë gjë si Institut i Kosovës për Drejtësi vazhdimisht e kanë theksuar se procesi i Vettingut nuk është proces që kryhet shpejt.
“Skenari më i mirë për Vettingun do të ishte nëse brenda vitit të ardhshëm deri në fund të vitit të ardhshëm arrin të miratohet Ligji për Vettingun, amendamentet fillimisht dhe pastaj ligji”, ka shtuar ai.
Shala: S’mund të ndodh avancimi në sistem prokurorial pa reformë në KPK
Shala ka theksuar se avancimi në sistemin prokurorial nuk mund të ndodh, pa reformë në Këshillin Prokurorial të Kososvës.
“Te çështja e KPK-së është një pikë që pajtohemi me Ministrinë e Drejtësisë, që nuk ka mundësi të ndodh avancimi në sistemin prokurorial, pa reformë në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Do të thotë, nuk ka zgjidhje të dytë, është zgjidhja e vetme. Mirëpo, kjo qasje është problematike kur ne themi që po e ditëm, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po ashtu i pritëm edhe reagimet tjera dhe në njëfarë forme tentohet të eksperimentohet me Këshillin Prokurorial. Si IKD, i kemi dërguar komentet tek Ministria e Drejtësisë lidhur me Projektligjin e fundit që është kundërshtu nga Komisioni i Venecias dhe ato komente janë edhe pjesë e opinionit të Komisionit të Venecias. Është pozitive për IKD-në kur konfirmohen nga Komisioni i Venecias të gjitha, ka ndodhur që janë konfirmu të gjitha në rastin e Byrosë, të KPK-së, nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e Pagave, etj, etj”, ka deklaruar Shala.
Ai ka deklaruar se kjo nuk është satisfaksion, por të procedohet më shpejtë dhe ta kemi reformën në KPK.
Shala ka theksuar se tani i bie që duhet të draftohet drafti i katërt i Projektligjit për KPK-në. Kurse, lidhur me Byronë, tha se Qeveria kishte deklaruar se i kanë angazhuar ekspertët më të mirë për të punuar me Byro, duke shtuar se nuk ka pasur konsultime publike sipas rregullores për standardet minimale.
Edhe
Shala: Qeveria nuk ka vizion se ku dëshiron ta shohë drejtësinë
“Çështjet të cilat ne i kemi thënë në raport, 95% e tyre janë konfirmu në opinionin e Komisionit të Venecias, sikur të kishte pasur një konsultim ma adekuat, një trajtim ma adekuat i komenteve të dhëna nga IKD, nga shoqëria civile, nga partnerët ndërkombëtarë, ishte procedu ma shpejtë dhe ndoshta sot do ta kishim Byronë”, është shprehur Shala.
Por, ndërhyri ministrja Haxhiu duke thënë se ish-gjyqtarë të Strasburgut e kanë bërë Projektligjin për Byronë.