TEMPUS

Shala: Qeveria ka dështuar në reformat për luftimin e korrupsionit

Gzim Shala - IKD

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Qeveria ka dështuar përballë nevojës së madhe për reformë.

“Kosova deri më tani ende nuk ka rezultate të kërkuara në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka aktgjykime të formës së prerë me burgim efektiv për profilin e lartë, mungojnë rezultatet adekuate në fushën e konfiskimit, etj. Të gjitha këto vetëm nga korrupsioni nëse nisim ndërtojnë një nevojë më të madhe sesa thjesht disa përpjekje dhe ndryshim i ligjeve, kërkojnë nevojën për reformë të thellë brenda sistemit të drejtësisë”, tha Shala.

Ai ka përmendur premtimet e Qeverisë në lidhje me vettingun në sistemin e drejtësisë.

“Përderisa vettingu në sistemin e drejtësisë nuk ka filluar fare, Qeveria nuk ka arrit me e bind Komisionin e Venecias që në Kosovë ka nevojë për një vetting të plotë, mirëpo Komisioni e Venecias më pas e ka reduktuar vetëm në një vetting të pjesshëm”, ka thënë Shala.

Ndërkaq, ai ka potencuar se ideja për vettingun në Polici nuk është diskutuar më fare pas ardhjes në pushtet të Qeverisë aktuale.

“Pas kësaj këto institucione kompetente që përmendën në atë më nuk kanë bërë asnjë veprim”, tha Shala.
 


Shala: Janë të shpeshta rastet kur Qeveria ka mbrojtur të pandehurit për korrupsion

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha në “Tempus” të KTV-së se ka raste të shpeshta ku Qeveria e Kosovës ka mbrojtur të pandehurit për korrupsion.

“Në kuptim të mënyrës së veprimit janë shumë më të shpeshta që pothuajse janë standart rastet kur Qeveria u ka dalë në mbrojtje të pandehurve për korrupsion, sesa rastet kur ka bashkëpunuar e institucionet e sistemit të drejtësisë në drejtim të zbardhjes së rastit”, ka thënë Shala.

Sipas tij, është fatkeqësi se si në rastet kur Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj akterëve qeveritarë, Qeveria i është vërsulur Prokurorit të Shtetit me kritika.

“Është fatkeqësi pasi në shumë raste kur Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të akterëve qeveritar, Qeveria në njëfarë forme duke e cilësuar veten si imune’ ndaj kësaj dukurie i është vërsulur me kritika Prokurorit të Shtetit”, tha Shala.


Shala: Gjykata Kushtetuese s’ka qenë problem për vetting, e para ka qenë Qeveria që nuk ka siguruar votat

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka diskutuar për procesin e Vettingut dhe pengesat që e kanë ndalur përparimin e tij në Kosovë. Sipas tij, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka miratuar draft-amendamentet që i hapin rrugë këtij procesi, mungesa e vullnetit politik dhe veprimeve konkrete nga Qeveria dhe Kuvendi mbeten shqetësuese.

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për të vazhduar me miratimin e draft-amendamenteve, mirëpo Qeveria dhe Kuvendi nuk e kanë bërë. Pas vendimit të Gjykatës, ka pasur një heshtje të madhe nga institucionet,” tha Shala.

Shala gjithashtu komentoi mbi Vettingun e pjesshëm të propozuar nga Komisioni i Venecias, duke theksuar se kjo formë ka përfitime të rëndësishme në krahasim me Vettingun e përgjithshëm.

“Edhe Vettingu i pjesshëm që është propozuar nga Komisioni i Venecias nuk mund të themi se nuk është Vetting. Madje, ai ka disa benefite në raport me Vettingun e përgjithshëm. Për këtë lloj të Vettingu janë draftuar draft-amendamentet kushtetuese”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje se pengesat kryesore nuk qëndrojnë te Gjykata Kushtetuese, por te mungesa e votave në Kuvend, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për shumicën e dyfishtë.

“Problemi ka qenë Qeveria që nuk i ka siguruar votat. Në rastin konkret, përveç shumicës absolute, kërkohet edhe shumica e dyfishtë dhe dihet qëndrimi i Listës Serbe në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërkohë, Shala e konsideroi si problematik vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen kundërkushtetuese të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kundërkushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, gjë që paraqet një pengesë shtesë në luftën kundër korrupsionit”, përfundoi Shala.

Hulumtuesi Shala ka kritikuar mënyrën e trajtimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore nga Qeveria dhe Kuvendi. Theksoi se vonesa prej tre muajsh dhe miratimi i Projektligjit në të njëjtën ditë në të dy leximet krijon perceptimin se ky ligj po përdoret për qëllime elektorale, dhe jo si një masë për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë.

Ai shtoi se fatkeqsisht është sërish nevoja që ky ligj prapë të dërgohet për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Lexo përditësimet tjera
IKD

Cilat aktivitete do të shënojnë Javën Kundër Korrupsion 2024 nga shoqëria civile?

Përfaqësuesit e shoqërisë civile treguan të hënën në “Tempus” se cilat aktivitete do të shënojnë Javën...