Si mësimdhënës i lëndëve të Elektroteknikës, Nasuf Bejta në zgjedhjet e 14 shkurtit i hyri garës për deputet.
Anëtar i iniciativës politike të Vjosa Osmanit, e pjesë e listës së kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Bejta synimin e tij e arsyetoi me nevojën për ndryshim, sidomos në sektorin e arsimit.
“Në arsim mendoj që duhet të bëhen reforma adekuate, posaçërisht do të orientohem dhe do të kontribuoj që ta depolitizojmë arsimin, të kërkojmë arsim cilësor, reformim rrënjësor”.
Pesë mijë e 763 votat e marra në këto zgjedhje, nuk i mjaftuan Bejtës ta sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, emri i tij u përmend në Parlament. Bejta e shpalli kandidaturën për president, duke sfiduar simbolikisht Vjosa Osmanin, kryetaren e iniciativës politike nga e cila vjen.
Këtë, 61-vjeçari nga Smrekonica e Vushtrrisë tha se e ka bërë vetëm për ta ndihmuar procesin e konstituimit të institucioneve.
“Unë thjesht po kandidoj për ta ndihmuar procesin, në mënyrë që shteti të ketë institucione stabile. Ky stabilitet është i mundshëm vetëm kur ta përmbyllim procesin me zgjedhjen e presidentit të vendit”, deklaroi Bejta.
Para iniciativës “Guxo”, Bejta ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte kryetar i Kuvendit të nëndegës së LDK-së në Smrekonicë, e për dy mandate ishte anëtar i kryesisë qendrore nga Vushtrria.
Në vitin 2007, Bejta dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që ai i vlerësonte si të dëmshme për Kosovën.
Bejta, shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri.
Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32-vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri.