Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbia i reagon Zvicrës, mohon se planifikoi vrasjen e Dick Martyt

Dick Marty

Agjencia Informative e Sigurisë e Serbisë, e njohur si “BIA”, ka mohuar të hënën të ketë planifikuar vrasjen e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

Mediat zvicerane kanë raportuar se Marty tash e një kohë të gjatë është nën masa të rrepta sigurie pasi vlerësohet se është i kërcënuar me jetë nga shërbimet inteligjente serbe, e që synonin t’ua hidhnin fajin shqiptarëve.

“BIA” i ka nisur të hënën letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), ku sipas agjencisë “Tanjug”, ka dënuar “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për të destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e “BIA”-s.

Marty që nga dhjetori 2020 është në mbrojtje të lartë policore. Shkalla e rrezikut është vlerësuar si më e larta, 5, që do të thotë ndërrim indentiteti, por ai nuk e ka pranuar atë dhe ka ngelur në shkallën 4, ku i ofrohet mbrojtje vazhdimisht.

Në një intervistë në emisionin “Mise au point” në një TV zvicerane, ai ka thënë se më 18 dhjetor 2020 ka marrë telefonatë nga policia zvicerane ku i është thënë se jeta e tij është në rrezik dhe se do të vendoset në mbrojtje të lartë policore.

Në intervistë, Marty tha se kërcënimi me vdekje erdhi nga qarqe të caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, të cilat kanë kërkuar atentatorë me pagesë që ta likuidojnë atë për të fajësuar më pas shqiptarët nga Kosova.

Edhe Plani për vrasjen e Martyt, Osmani paralajmëron veprime sapo të informohet nga Zvicra Arbëri Plani për vrasjen e Martyt, Osmani paralajmëron veprime sapo të informohet nga Zvicra

Marty nuk është figurë e dashur në Kosovë dhe sipas pretendimeve serbe, kjo vrasje mund të pranohej si vepër e shqiptarëve.

Vite më parë, një raport i Martyt u mor si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në të, Marty pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë “bërë trafikim me organe të serbëve” gjatë luftës.