Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Seksioni i Shkencave Shoqërore në ASHAK përplaset me kryeakademikun Mehmet Kraja

Kraja: Rama ka qenë një nga mbështetësit e ndarjes së Kosovës

Publikimi i analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në janar të vitit 2022, ka shkaktuar përplasje në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Seksioni i Shkencave Shoqërore në ASHAK është distancuar nga ky dokument duke thënë se ai është tekst i kryeakademikut Mehmet Kraja, “i paautorizuar për publikim”. Ky seksion ka paralajmëruar veprime statutore, nëse Kraja nuk reflekton.

“Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janar 2022!”, thuhet në një kumtesë të këtij seksioni të premten. Seksioni i Shkencave Shoqërore ka thënë se ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen Krajës “për sjellje imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është”.

“Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht në publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, ka thënë Seksioni i Shkencave Shoqërore. “Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë. Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore”, thuhet në kumtesë.

Deklaratës së këtij seksioni shpejt i është kundërpërgjigjur Kraja. Ai ka thënë në një shkrim në Facebook se nuk ka imponuar sjellje arbitrare, por se ka “kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”.

Kraja po ashtu ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së ASHAK-ut, më 17 janar 2022, është diskutuar teksti. Ai ka thënë se shumica e anëtarëve të Kryesisë kanë mbështetur publikimin. Më pas ka renditur ato që ka thënë se ishin qëndrimet e anëtarëve të Kryesisë.

Edhe “Tërmet” në Akademi Arbëri “Tërmet” në Akademi

“1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime; 2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë; 3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj; 4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë; 7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj”, ka shkruar Kraja.

Por sekretari shkencor i ASHAK-ut, Luan Mulliqi, ka mohuar pretendimet e Krajës.

“Nuk është e vërtetë që ai tekst ka marrë miratimin e kryesisë për tu publikuar. Përkundrazi është kundërshtuar. Është e vërtetë që sjelljet e Krajës janë imponuese dhe arbitrare, me theks të veçantë të arrogancës”, ka thënë Mulliqi për KOHËN.

Sipas kryeakademikut, teksti i analizës u është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve. Nga 38 anëtarët, sipas tij, përgjigje me shkrim kanë ofruar vetëm dy anëtarë.

Kraja ka pranuar se në uebfaqen e Akademisë mund të jetë shfaqur versioni i paredaktuar i tekstit. Për këtë ka thënë se mund të jetë bërë për ndonjë arsye teknike. Ka shtuar se tani në uebfaqe është verisoni i autorizuar. Ai ka përfunduar reagimin duke thënë se merr përgjegjësinë për shkrimin.

“Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”.

Në reagimet paraprake, Kraja pati thënë se shkrimi “është analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i cili synon të tërheqë vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, janë bërë më agresive dhe destabilizuese për rajonin, duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar”. Në një reagim të dytë, Kraja të enjten pati deklaruar se publikimit së fundmi po i bëhen citime të shtrembëruara dhe manipuluese. E ka quajtur gjithë reagimin “fushatë” kundër tij.

Në shkrimin në fjalë, dokumenti paraqitej si “analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar”.

Edhe Përplasjet në Akademi kulmojnë me nismën për shkarkimin e kryetarit Kulturë Përplasjet në Akademi kulmojnë me nismën për shkarkimin e kryetarit

“Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin serb, rrënohen si kështjella prej rëre”, thuhej në hyrje të shkrimit që së fundmi nxiti debat në vend në pjesët për “idenë për ndarjen e Kosovës”.