Akademiku Muhamedin Kullashi e ka quajtur pamflet dhe artikull të dobët joshkencor publikimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja, përmbajtja e të cilit ka nxitur reagim në publik.
Në një intervistë në emisionin DESKU, e cila do të transmetohet më vonë, Kullashi ka theksuar se Kraja ka dashur që opinionin e tij mbi ngjarjet ta fshehë prapa logos së akademisë. Ai e akuzoi kryeakademikun për keqpërdorim të funksionit.
“S’ka të bëjë me Akademinë dhe përdorimi i emrit ASHAK është keqpërdorim. Është vetëm kryetari që ka nënshkruar tekstin dhe ka dashur të fshihet prapa Akademisë, ta keqpërdorë emrin e Akademisë. Është një autor aty. Është përvojë jo e mirë dhe jemi deklaruar lidhur me këtë edhe tash, por edhe atëherë në fillim të vitit se si është ofruar, ne ishim të qartë s’kemi pse ta nënshkruajmë, shkruaje vetë dhe le ta vlerësojë publiku”, ka thënë Kullashi.
Ai ka thënë se shkrimi i Krajës “është artikull i sipërfaqshëm dhe i dobët”.
“S’është artikull shkencor, është rrëfim që e ka bërë, në stilin që e ka”, ka thënë ai duke shtuar se Kraja ka provuar të imponojë që të nënshkruhet edhe nga akademikët tjerë shkrimi.
Publikimi i analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në janar të vitit 2022, ka shkaktuar përplasje në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës së fundmi. Seksioni i Shkencave Shoqërore në ASHAK është distancuar nga ky dokument duke thënë se ai është tekst i kryeakademikut Mehmet Kraja, “i paautorizuar për publikim”. Ky seksion ka paralajmëruar veprime statutore, nëse Kraja nuk reflekton. E në përgjigjen e tij të premten, Kraja ka thënë se teksti ishte miratuar nga shumica e Kryesisë. Ka shtuar se pas “rrethanave të krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”.
Edhe
“Tërmet” në Akademi
Në shkrimin në fjalë, dokumenti paraqitej si “analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar”.
“Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin serb, rrënohen si kështjella prej rëre”, thuhej në hyrje të shkrimit që së fundmi nxiti debat në vend në pjesët për “idenë për ndarjen e Kosovës”.