Mospërfshirja e refuzimi i përfshirjes së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në projektin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, vazhdon të zbardhë prapaskenat e radhës që dëshmojnë përplasje e shpërfillje brenda institucioneve. Pas serisë së tretë të reagimeve, akademik Rexhep Ismajli, ka thënë se duke refu¬zuar rolin e distributorit të fajeve, do të saktësojë disa gjëra. Ka thënë se Fjalori qysh në fillim nuk qe projekt i ASHAK-ut. Bazuar në shkresa, edhe akuzat e mosfunksionalizimit të Këshillit Ndërakademik, kanë adresë. “Ndërkohë, tashmë kishte ndodhur nisma për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që për shumëçka e anashkalonte veprimtarinë e Këshillit”, ka thënë ai
Publikimi i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe dhe mospjesëmarrja gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në këtë projekt ka çuar goxha pluhur. Ka nxituar po ashtu reagime e pikëpamje të ndryshme brenda ASHAK-ut rreth arsyeve të mospjesëmarrjes në këtë nismë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Polemikat kanë prekur edhe shkaqet e mosfunksionalizmit të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, forum i dy akademive, sikurse edhe të Qendrës Enciklopedike-leksikografike e ASHAK-ut që po ashtu s’është funksionale.
KOHA ka raportuar për arsyet e mospërfshirjes së gjuhëtarëve të ASHAK-ut në projektin e Fjalorit duke pasqyruar edhe bashkë me letrën e akademikëve Rexhep Ismajli, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi ku edhe janë renditur arsyet. Por sipas akademik Mehmet Krajës, i cili prej vitit 2019 deri në fund të 2025-s ka udhëhequr me ASHAK-un, treshja ka refuzuar, megjithëse ka pasur mundësinë që të ndërhyjë në platformën për hartimin e Fjalorit. Sipas tij, bashkëkryetari i Këshillit Ndërakademik, akademik Rexhep Ismajli s’ka bërë asnjë përpjekje për rifunksionalizmin e Këshillit.
Por akademik Rexhep Ismajli ka tjetër rrëfim për këto çështje duke u mbështetur edhe në komunikime midis institucioneve.
Ai ka thënë se duke refuzuar rolin e distributorit të fajeve, do të saktësojë disa gjëra.
“Në Raportin që u paraqit te ‘Koha’ është bërë fjalë për një propozim konkret. Është shtuar se kërkesa vinte si propozim i formësuar ‘si projekt i ASHSH-së’ dhe kuptohet që ne nuk kishim pse të ndërhynim në të, ndryshe nga projekti i Enciklopedisë që qysh në fillim ishte cilësuar si i dy Akademive. Kemi treguar se cilat kanë qenë vështirësitë tona për t’u ndërlidhur në atë projekt. Prandaj nuk ka pasur kuptim të krijonim platformë për hartimin e një fjalori të tillë sa kohë që ne nuk kemi pasur projekt për të. Raporti është shkruar sipas materialeve që na ishin vënë në dispozicion”, ka thënë ai.
Ka sqaruar se në Shtesën e Raportit janë shënuar vështirësitë lidhur me përgatitjet për themelimin e Qendrës Enciklopedike-leksikografike, e cila do të ndërmerrte krijimin e korpusit të shqipes. Funksionalizimi i Qendrës nuk u bë. Në këtë rast ka shtuar se nismat për krijimin e bazës teknologjike të QLE-së, për të cilat si individë nuk kanë pasur tagër për drejtim, kanë marrë rrugët e tyre brenda veprimtarisë administrative, të drejtuar nga udhëheqjet e ASHAK-ut. Ka rikonfirmuar se Qendra nuk është funksionalizuar.
“Në shtesën e Raportit tashmë të përfolur është thënë tekstualisht: ‘që të jetë produktiv si institucion në fushë të leksikografisë (përfshirë fjalorët enciklopedikë, leksikonët, etj.) ASHAK-u duhet të orientohet në krijimin e bazës institucionale-materiale brenda QLE-së, ta bëjë Qendrën funksionale dhe efikase dhe pastaj të angazhohet në ndërmarrje të tjera të niveleve të ndryshme’. Kjo nuk është përfillur”, ka thënë ai.
Akademik Ismajli ka sqaruar se sa i përket Platformës së Enciklopedisë, projekti i Enciklopedisë, me 3-4 sprova platformash, është sjellë nëpër Akademi qysh nga viti 2002.
“Kjo e fundit, është diskutuar në Seksion, ku mund dhe të kem dhënë ndonjë ndihmesë. Në të gjitha rastet qysh në fillim fjala ka qenë për projekt të përbashkët. Mbaj mend që në Kuvend të Akademisë është kërkuar e vendosur që i tërë dokumentacioni i Enciklopedisë të vendosej edhe në ASHAK, ndërsa Enciklopedia të kishte 2 bashkëkryeredaktorë. Po dëgjoj që tash kemi kryeredaktor e zëvendëskryeredaktor”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket Këshillit Ndërakademik ka thënë do të saktësojë situatën bazuar edhe në shkresa.
“U tha se ‘Rexhep Ismajli nuk ka bërë asnjë përpjekje për vazhdimin e veprimtarisë të ndërprerë për shkak të proceseve ndërkohë (pandemia, ndërprerjet e ndryshme), pas 2021’”, ka thënë ai duke iu referuar deklarimit të akademik Mehmet Krajës. Në këtë rast ka përmendur dy shkresa. Ka treguar se më 3 qershor 2022 është dërguar letra e protokolluar në ASHAK në adresë të protokollit të ASHSH-së në Tiranë, drejtuar Akademik Ethem Likajt, bashkëkryetar i KNGJSH-së në Tiranë.
“I nderuar Profesor Likaj, ... Në këto ditë të nxehta vere, por pas pandemisë që na kishte marrë hapësirën, duke marrë shtysë nga protokolli i bashkëpunimit midis dy akademive tona, i cili parashikon vazhdimin e punës së KNGJSH-së, po Ju shkruaj për të marrë mendimin Tuaj për si ju duket e përshtatshme të veprojmë më tej në këto rrethana. Pasi të kem dhe mendimin Tuaj, pa përjashtuar as nevojën e ndonjë takimi paraprak, ashtu si dhe propozimet eventuale për hapat konkretë në vijim, do t’ju shkruaj edhe për reflekset tona eventuale dhe do të përpiqem ta mbledh grupin për të ndërmarrë veprimtaritë eventuale më tej. ... Me respekt, Rexhep Ismajli, Bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, Prishtinë”, shkruhet në shkresën e protokolluar me numër 454 më 03.06.2022.
Akademik Ismajli ka treguar se nuk është vënë në dijeni nëse ka pasur ndonjëherë letër kthyese përmes protokollit të ASHAK-ut. Por në adresën e tij elektronike më 06.06.2022 do të pranonte letër nga profesori Ethem Likaj.
“I nderuar akademik Ismajli, ... Nëpërmjet z. Loreta, mora letrën tuaj dhe u njoha me mendimet tuaja për veprimtarinë e mëtejshme të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Unë prej disa muajsh jam në Kanada dhe për rrethana të veçanta, do të qëndroj edhe disa muaj të tjerë. Para se të nisesha për në Kanada, kam bërë një bisedë me kryetarin tonë të Akademisë së Shkencave, ku i kam parashtruar vështirësitë e vazhdimit të mëtejshëm të veprimtarisë sime në rolin e bashkëkryetarit të Këshillit, sepse më shumë do të jem këtu, në Kanada, sesa në Shqipëri. Megjithatë, nuk u morëm vesh për një qëndrim përfundimtar. Por kjo është një çështje e Kryesisë sonë të Akademisë. Pavarësisht këtyre rrethanave, derisa në marrëveshjen e re përsëri është parashikuar që të vazhdojë puna e këtij këshilli, duhet shkëmbyer mendime për detyrat e reja”, shkruhet në letrën e profesorit Likaj.
Akademik Ismajli ka thënë se përmes Protokollit të ASHSH-së në Tiranë nuk i ka ardhur asnjë reagim e as shpjegime eventuale për ato që thuheshin në letër.
“Kjo ishte përpjekja e fundit pas kërkesave që kisha bërë në periudhën 2007-2012, kur merrnim përgjigje më shumë joformale se ASHSH-ja ishte në proces reformimi, herë të tjera më 2012, më 2017 me arsyetime të ndryshme. Për këto ka qenë i njoftuar Seksioni”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, tashmë nisma për Fjalorin kishte marrë rrugën e vet.
“Ndërkohë, tashmë kishte ndodhur nisma për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që për shumëçka e anashkalonte veprimtarinë e Këshillit. Po flitet për gjëra që kanë ndodhur 5-6 vite më parë. Seksioni ka 10 anëtarë dhe, nëse nuk është pajtuar, në të dy rastet ka mundur të marrë vendime të tjera”, ka thënë ai.
Pa përfshirjen e gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokaj, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët: Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjovalin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj.