Derisa komunat e Kosovës prej më shumë se katër muajsh po përballen me mungesë të certifikatave të gjendjes civile, ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për “Koha Ditore” ka njoftuar se brenda një të ardhme të afërt do të furnizohen të gjitha komunat me certifikata origjinale, mbase janë në proces të nënshkrimit të kontratave me operatorin ekonomik.
“Problemi ka qenë edhe publik me ankesa në procesin e tenderimit për furnizim me certifikata, mirëpo pas anulimit, ka pasur disa sasi të certifikatave origjinale dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, ka marrë vendim që për përdorim të brendshëm në Kosovë të shtypen në formatin letër. Tashmë jemi në fazën e finalizimit të nënshkrimit të kontratës dhe shumë shpejtë do të fillojë furnizimi me certifikata origjinale”, thuhet midis të tjerash në përgjigjen e MPB-së.,
Ata kanë shtuar se deri më tash nuk kanë pasur ndonjë ankesë nga qytetarët që i ka humbur termini në ambasada për shkak të mungesës së certifikatave, sepse në disa komuna ku ka pasur sasi të certifikatave origjinale, i kanë ruajtur vetëm për përdorim jashtë vendimit dhe janë orientuar qytetarët që të drejtohen në ato komuna.