Pushimi pranveror mund t’ju zgjatet më shumë se dy javë nxënësve e studentëve, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në sektorin e arsimit gjatë muajit prill. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva është e pashmangshme, pasi siç thotë, ende nuk kanë marrë sinjale pozitive nga institucionet qendrore për kërkesat e tyre sa i përket rritjes së koeficientit në Ligjin e ri të pagave. Njohësit e arsimit kritikojnë paralajmërimet për veprime sindikale
Prishtinë, 13 mars - Nxënës e studentë rrezikojnë që planprogramin mësimor të planifikuar për muajin prill të mos e mbajnë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në sektorin e arsimit.
Njëjtë si në vitin 2019, Ligji i pagave pritet të jetë shkaku i marrjes së veprimeve sindikale nga SBASHK-u.
Ligjin për paga, për të cilin është premtuar nga ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, se do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars, nga kjo sindikatë thonë se nuk do ta pranojnë, pasi nuk kanë marrë sinjale pozitive për rritjen e koeficientit të pagave.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Qeveria ka qasje mospërfillëse ndaj punëtorëve të arsimit, prandaj, sipas tij, kthimi i grevës trejavore është i pashmangshëm.
"Më 2 prill Kongresi do të marrë vendime meritore, të cilat unë si kryetar apo kushdo që vjen në vend timin bashkë me stafin qendror është obliguar t'i realizojë dhe nga fillimi i prillit, pas pushimit pranveror që është atëherë, do të kemi një grevë gjenerale në tërë sektorin e arsimit", ka thënë ai.
Gjithashtu, Sindikata ka kërkuar që nga prilli, Qeveria t’i mbështesë punëtorët e arsimit me nga 100 euro shtesë, për shkak të rritjeve të çmimeve në tregun vendor.
"Kjo kërkesë për 100 euro është minimale, sepse kemi ngritje të tmerrshme të çmimeve dhe kemi menduar se sektori i arsimit, sidomos punëtorët që kanë paga nën mesataren 420 euro do të nderoheshin sadopak në këtë ngritje marramendëse të çmimeve. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria Kurti le ta dijë se pas 2 prillit do të kemi fatkeqësisht po them grevë në tërë sektorin e arsimit”, u shpreh Jasharaj.
Kryesindikalisti i arsimit thotë se i vjen keq që me këtë veprim do të pësojnë nxënësit, mirëpo ai e arsyeton, duke thënë se përgjegjësia për këtë u takon institucioneve qendrore që nuk po i përfillin kërkesat e tyre.
Paralajmërimet për veprime sindikale po kritikohen nga ekspertët e arsimit.
Drejtori i Institutit për Studime të Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë se institucionet qendrore duhet t’i përfshijnë sindikatat për të arritur një marrëveshje të dëshiruar nga të dyja palët për koeficientin e pagave në sektorin e arsimit.
“Asnjë moment nuk mund ta kundërshtojmë kërkesën e SBASHK-ut për rritjen e pagave, është e drejtë e tyre kushtetuese, mirëpo ne kundërshtojmë shumë reagimet sindikale të cilat prekin dhe cenojnë procesin e mësimdhënies”, tha ai. “Qeveria duhet ta kuptojë që sindikatat janë partner i tyre social dhe një komunikim i hapur me ta është i domosdoshëm, pra një përfshirje e sindikatave në përcaktim të pagës minimale dhe në përcaktim të koeficienteve është i domosdoshëm, pasi që të njëjtat prezantojnë edhe zërin e punëtorëve”.
Viti 2019, në arsim, kishte filluar me grevë. Mësimdhënësit e të gjitha niveleve përdorën grevën si mjet për t’i bërë trysni Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë Ligjin për pagat, duke rritur koeficientin.
Rritja e pagave për mësimdhënësit u mundësua me Ligjin për paga. Por, pak ditë para se të hynte në fuqi ky ligj, Gjykata Kushtetuese e pezulloi atë, e pastaj e shpalli të pavlefshëm.