Arbëri

Sadiku për listat: VV-ja e varfër, PDK-ja pa liderë të vërtetë, LDK-ja me reforma, AAK-ja me të panjohur

Analisti politik Arbnor Sadiku

Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka deklaruar se lista zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje është e varfër, duke u shprehur se përpos Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, të tjerët “s’do ta kalonin pragun në lista të tjera pasi s’kanë mendim të tyrin”.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, se shumica e kandidatëve të kësaj liste “nuk e dinë për çka garojnë”. Ai përmendi Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga “Guxo”, që sipas tij, janë kandidatët e vetëm që mund të bëjnë marrin vota. Sipas Sadikut, kjo listë në të kundërtën s’do t’i merrte mbi 2 për qind të votave.

“Lista është e varfër, hiq Kurtin e Konjufcën. Të tjerët sikur të ishin të lista të tjera s’do ta kalonin pragun pasi s’kanë mendim të tyrin dhe s’dinë për çka garojnë. Lista ‘Guxo’ mund të dalë me 1-2 për qind pasi s’ka vota të madhe dhe kokëtimi mund të jetë me votat e Vetëvendosjes që të synojnë hyrjen në Kuvend. Këta s’janë brumë i VV-së dhe mendoj se VV-ja e ka parasysh se kandidatët që janë thellësisht sipas programit që përfaqësojnë, ata do të marrin pozita të ministrave”, është shprehur ai.

Sipas analistit Sadiku, mospërfshirja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në listën zgjedhore “mund të lidhet me atë që merr pak vota”.

“S’di çfarë legjitimiteti mund të udhëheqësh nëse ministrat e tij (Bislimit v.j) kanë më shumë vota. Një zëvendëskryeministër duhet të paktën t’i ketë 40.000 vota. Bislimi s’është person që mund të mbledhë vota për vete apo për Vetëvendosjen”, ka shtuar ai.

Duke komentuar listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sadiku ka thënë se lidershipi i vërtetë i kësaj partie gjendet në Hagë (Hashim Thaçi e Kadri Veseli v.j.), derisa ka shtuar se votuesi mund të ketë dilema.

Ai u shpreh se PDK-ja ka emra të dëshmuar.

Sadiku përmendi kandidatët Artan Mustafën dhe Rashit Qalajn si emra që sipas tij, do të duhej të ngjiteshin më lartë në listën zgjedhore.

Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Sadiku ka shtuar se është partia që ka përbërjen më të mirë të kandidateve gra. Ai ka shtuar se kjo parti ka renditur gra me vlera në listë, derisa shtoi se janë bërë reforma brenda listës. Sadiku tha se mendon që LDK-ja ka listën më të mirë të kandidatëve.

Për Aleancën e Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMËN, Sadiku ka shtuar se kjo listë përmban shumë kandidatë të panjohur. Ai ka shtuar se ka mundur të kishte opsione të tjera “që të dilnin nga petku rajonal i kandidatëve”.