Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Por Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhjet e fundit nacionale, nuk e ka bërë ende.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë martën ishte afati i fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve.
Albin Kurti do t’i prijë listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Top 10 janë edhe Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari Lila, Hajrulla Çeku e Shqipe Memeti Selimi.
Në listë nuk janë emra si Besnik Bislimi e Hysen Durmishi. Durmishi në një postim në Facebook tha se vetë ka vendosur të mos jetë pjesë e listës. Në listën e Vetëvendosjes me numër 15 është Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Bartëse e listës së LDK-së është ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në Top 10 në listë nuk janë emrat si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami. Hoti do të mbajë numrin 11 e Bajrami 12. Në krye të listës është Vjosa Osmani, teksa numri dy do të jetë Lumir Abdixhiku. Dhjetëshen e parë e kompletojnë Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci e Anton Quni.
“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”, ka shkruar Hoti.
“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale. Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë. Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka proklamuar “bashkimin e madh”. Në listë është kthyer Osmani dhe me vete ka sjellë edhe disa emra nga ish-partia e saj Guxo. Por, "bashkimi i madh" ka hasir në rezistencë nga brenda LDK-së. Të hënën dega e LDK-së në Podujevë e nominoi ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, si kandidat për deputet. Por, Veliu nuk e pranoi numimin ndërsa kritikoi Abdixhikun.
E kritika të martën ka pasur edhe Melihate Tërmkolli.
“Dmth, unë Melihate Tërmkolli, ndër të parët e LDK-s, në temele të saj e para saj, me një jetë të tërë plot sakrifica, punë e kontribute për liri e shtet, me plot rreziqe jetësore në të gjitha fazat politike, gjithherë me qëndrime të qarta politike kombëtare, me punu sot për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-n, për Lulmira, Vjosa, e krejt udhëheqjen e saj, për tuxharitë e multi milionat e tyre a?! E valla jo!” – ka shkruar Tërmkolli në Facebook.
Te AAK-ja bartës i listës është Ardian Gjini, ndërsa Ramush Haradinaj garon me numrin 11. Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave nga partitë politike.
Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se s'do të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. E Partia Socialdemokrate në këto zgjedhje do të garojë me 6 kandidatë.
Partia Demokratike e Kosovës ende s'e ka publikuar listën. Kryesia e PDK-së të hënën mori vendim të mos e përfshijë në listë Fatmir Limaj dhe anëtarë tjerë të Nismës Socialdemokrate.